Rainer Schuller: Ambasadori rus në Austri gënjeu publikisht para mediave sa i përket gjendjes në Ukrainë

Rainer Schuller nga “Der Standard” thotë se në Austri po japin më shumë raportime live nga situata në Ukrainë.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se është vështirë të gjenden fakte në mjedise ku ka shumë dezinformim.

“Në Austri po mundohemi të japim sa më shumë informacione lidhur me luftën në Ukrainë. Jemi duke bërë shumë raportime ‘live’. Është jashtëzakonisht e vështirë që të gjinden fakte në mjedis ku ka sasi tepër të madhe dezinformimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, kurrë nuk ka parë më shumë foto e video nga një luftë për të cilat nuk je i sigurt për prejardhjen.

“Kurrë nuk kam parë kaq shumë foto, kaq shumë video, kaq shumë tekste dhe ti nuk je i sigurt se prej nga e kanë prejardhjen ato. Duhet të kemi gazetarët më të përgatitur, por prapëseprapë puna që duhet bërë është e jashtëzakonshme. Ne kemi edhe korrespondentët në terren, vetëm disa, gjë që e bën të vështirë raportimin e të gjitha detajeve të kësaj lufte”, shtoi ai.

Schuller theksoi se ambasadori rus në Austri gënjeu para mediave publikisht sa i përket gjendjes në Ukrainë.

Sipas tij, këto raportime luftohen vetëm me demaskim, si dhe të gjenden aleatë në luftë për të vërtetën.

“Ka dezinformim të vazhdueshëm nga ana ruse. Ambasadori rus në Vjenë po gënjen mediat. Atë e intervistuan nga një gazetë, para tre ditësh, dhe atij nuk i vinte turp të gënjente publikisht. Të gjitha këto informata është vështirë të përballohen, dhe e vetmja mënyrë të demaskohen këto informata është nëse stafi redaktues është me përvojë, si dhe nëse gjinden aleatë në këtë luftë për të vërtetën”, shtoi ai.