Prona në lagjen Kalabria, Foto: KALLXO.com

Qytetari pretendon se Komuna e Prishtinës nisi ndërtimin e shkollës në pronën e kontestuar (VIDEO)

Një qytetar në Prishtinë po pretendon se Komuna ka filluar projektin për ndërtimin e një shkolle në lagjen “Kalabria” në kryeqytet, në pronën të cilën e ka blerë dhe se e njëjta ndodhet në kontest pronësor. Përderisa nga Komuna e Prishtinës thonë se nuk kanë marrë asnjë propozim për masë të sigurisë nga Gjykata.

Qytetari Visar Ahmeti po pretendon se këtë pronë e ka blerë në vitin 2009 nga një qytetar serb, e për çka thotë se ka edhe dëshmitë. Madje sipas tij, qytetari serb e kishin paditur Komunën e Prishtinës në vitin 2009 për uzurpim të pronës.

Më tej, siç shpjegon ai në një intervistë për KALLXO.com, Ahmeti në vitin 2014 i kishte paditur të dyja palët – shitësin dhe Komunën.

“Dmth me 4  shkurt 2009, kam lidhë kontratë me Jovan Vasatankoviq nga Matiqani, dhe të cilin e kam pagu në tërësi, janë edhe dëshmitë për këtë. Janë 71 ari e 74 metra katror, është parcela 7-6-4-3 në komunë të Prishtinë. Janë kontrata të cilat janë të vërtetuara në Gjykatën komunale atëherë në vitin 1966 edhe 1970. Këto kontrata i kam kërku zyrtarisht edhe mu kanë kthy e i kam të përkthyme në gjuhën shqipe” – thotë ai.

Prona në lagjen Kalabria, PrishtinëNga viti 2009 kur është ngritur padia për këtë çështje pronësore e deri me 14.05.2024, Ahmeti pretendon se janë mbajtur 28 seanca gjyqësore dhe ende nuk është marrur një vendim nga Gjykata Themelore e Prishtinës. “Unë si paditës, në vitin 2014, e kam paditë edhe shitësin edhe Komunën e Prishtinës. Prej vitit 2009 saktë deri më 15 maj 2024, janë mbajtë 28 seanca edhe nuk ka kurrfarë epilogu as pozitiv as negativ, as ndërprërje. Është mbajtë seanca më 14 maj 2024. Nuk është thënë kurgjo hic. Kanë kërku me i vërtetu këto dokumenta, jam pajtu plotësisht edhe më ftesë nuk ka” – ka thënë tutje qytetari Visar Ahmeti. 

Ai thotë se më 20.06.2024 ka bërë kërkesë për masë të sigurisë në mënyrë që punimet të ndërpriten deri sa çështja të marrë një epilog. 

“.. sepse Komuna e Prishtinës ka vendos disa rrethoja, edhe me ndërtu objekt. Objekt shkollor apo çka nuk e di, nuk jam kundër shkollës, por kisha pasë qejf së pari mu zgjedhë kontesti i cili është e pastaj të ndërtohet çfarëdo” – shtoi ai.

Pamje nga droni te pronës në lagjen Kalabria

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në përgjigjen e këtij institucioni më datën 26.06.2024 është thënë se gjyqtarja e rastit ndodhet në pushim vjetor. 

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftoj gjyqtarja e rastit ndodhet në pushim vjetor dhe si rezultat i kësaj nuk e posedojmë këtë informacion. Ne do të ju përgjigjemi posa të sigurojmë informacionin e kërkuar”- ka thënë Medina Gashi nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në anën tjetër, nga Komuna e Prishtinës thonë se nuk kanë asnjë njoftim nga Gjykata se kjo pronë në të cilën kanë nisur të ndërtojnë shkollë, ndodhet në kontest pronësor.

“Deri në këto momente, në këto rrethana juridike që i kemi, Komuna vijon pra ndërtimin e asaj shkolle me arsyen se nuk ka asnjë propozim për masë të sigurisë nga Gjykata, dhe asnjë njoftim nga Gjykata që po zhvillohet kontest pronësor” – ka thënë Donat Lushaku, zëdhënës i Kryeqytetit.

Gjithashtu, qytetari Visari Ahmeti tregon së ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Kadastrit në Komunën së Prishtinës, për regjistrimin e kësaj prone por ende nuk ka marrur asnjë përgjigje lidhur më kërkesën e tij.

“Kam bërë kërkesë në kadastër në bazë të këtyre kontratave për regjistrim, kam prit një vit dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë”- ka thënë Ahmeti.

E për këtë zëdhënësi Lushaku thonë se një gjë ë tillë mund të këtë ndodhur për shkak të volumit të madh të lëndëve, por që nuk besojnë që ka mbetur pa një përgjigje Visar Ahmeti.

“Nuk besoj që nuk ka marrë një përgjigje për çështjen në fjalë për këtë mund edhe te interesohet në arkivën e drejtorisë kompetent për të par së ku ka shkuar rasti. Volumi i lëndëve ka mundur ndoshta më  e zgjatë vendimmarrjen, por pa një përgjigje nuk besoj se mund të këtë mbetur pala ne fjalë” – deklaroi Lushaku.

Pasi Ahmeti nuk ka marrë asnjë përgjigje nga drejtoria e Kadastrit, ai thotë se ka vazhduar me ankesë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës për heshtje administrative.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në këtë institucion por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.