Autoambulanca - Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Qytetari i Skenderajt ankohet se QKMF nuk i ofroi ndihmë gruas së tij

E.V. nga fshati Prekaz i Epërm i Komunës së Skenderajt është ankuar se gruaja e tij nuk ka pranuar mbrëmë ndihmë nga Klinika Emergjente në këtë komunë pasi që dhimbjet e dhëmbit sado që të jenë të mëdha, nuk po konsiderohen si rast emergjent nga QKMF.

Qytetari në një prononcim për KALLXO.com, E.V. ka deklaruar se rreth orës 02:00 pas mesnatës ka kontaktuar qendrën emergjente në mënyrë që gruaja e tij të marrë trajtim stomatologjik, e që në pamundësi të një automjeti të tij, ai thotë së ka kërkuar që t’i vijë autoambulanca.

“Mbrëmë rreth orës 01:48 kam thirrë qendrën emergjente në Skenderaj se e kam pasë bashkëshorten në gjendje katastrofale prej dhëmbit, po nuk kam mund me iu qasë e kam telefonu 192 më kanë lidhë me stacionin e Skenderajt, e pastaj ata kanë telefonu me Emergjencën, e më kanë thënë që nuk kanë drejtë me dal sepse janë me uniformë të punës edhe që nuk quhet rast emergjent”, u shpreh qytetari.

“Unë nuk kam pas mundësi më shku në Klinikë vet, se nuk kam veturë, taksi nuk ka në këtë situatë, kam kërku të paktën me veturë të ambulancës edhe me u trajtu, por nuk na është mundësu asnjëra”, shtoi ai.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj, Osman Veliun.

Veliu pohoi se dhimbje të kësilloji nuk konsiderohen raste emergjente, e që sipas tij, edhe autoambulanca ofrohet vetëm për raste emergjente.

Gjithashtu ai potencoi se si QKMF nuk kanë kapacitete që të ofrojnë shërbime për të gjitha thirrjet që nuk kanë të bëjnë me raste emergjente, pasi që edhe ekipi i ndërrimit punon vetëm për ato raste.

“Nga ora 22:00 ne e kemi vetëm një ekip në Emergjencë dhe është ekskluzivisht e destinuar për ofrimin e shërbimeve emergjente e që në këtë radhë hynë ato që e rrezikojnë jetën e njeriut drejtpërdrejt. Dhimbja e dhëmbit nuk konsiderohet si rast emergjent e që brenda një nate ne mundemi më pasë qindra thirrje të tilla të cilat kërkojnë trajtim stomatologjike. Unë kam biseduar sot edhe me atë djalin (E.V), dhe me ekipin emergjent do të bisedojmë të hënën më gjerësisht për këtë gjendje. Ne si QKMF nuk kemi kapacitete me oferu shërbime për çdo thirrje të qytetarëve. Kam biseduar edhe infermierin qe ka qenë në ndërrim mbrëmë më tregoi se edhe në atë kohë kanë pasur pacienta dhe nuk ka mundur të shtëpinë të tij, por që duke kuptuar trajtimi ofrohet vetëm për raste emergjente”, tha Veliu.

“Rastet e dhimbjeve të dhëmbit, e fytit, rritja e temperaturës, ngritja e gjakut apo ndonjë çrregullim tjetër duhet të vijnë këtu mu trajtu sepse nuk e kemi kujdesin shtepiak 24 orë të organizuar. Edhe autoambulanca është vetëm për raste emergjente”, tha ai.

Për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi, të gjitha klinikat private janë mbyllur si masë parandaluese.

Shërbimet nga klinikat Stomatologjike lejohen të kryhen vetëm në raste emergjente.