Deponia e mbeturinave në Fushë-Kosovë - Foto: KALLXO.com

Qytetarët e Fushë-Kosovës në hall me deponinë e madhe të bërllokut

Një deponi e madhe e gjithfarë lloji mbeturinash po u sjell telashe e po i pengon banorët e lagjes, në Fushë-Kosovë.

Deponia gjendet në rrugën “Arbëria”, ndërmjet dy objekteve banesore që po ndërtohen.

“Unë jam banore e Fushë-Kosovës, çdo ditë kaloj këndej. Normal që gjendja, po e shihni edhe vetë, shumë e tmerrshme. Nuk është mirë për shëndetin, për ambientin, për krejt”- thot Sanije Behrami.

Ndonëse në këtë zonë ka kontejnerë të mjaftueshëm të mbeturinave, megjithatë shumë qytetarë përsëri vendosin që mbeturinat t’i hedhin në hapësirën mes dy ndërtesave që po ndërtohen.

“Po na pengojnë krejt popullatën, po çka me ba. Ndoshta me i hjekë prapë i qesin. Kontejnerët janë rend qaty, e kam oborrin atje, në të dy anët e oborrit ka kontejnerë, edhe këndej, edhe andej”- u shpreh Fazli Koliqi.

E përfaqësues të opozitës në Komunën e Fushë-Kosovës thonë se këtë problem e kanë adresuar te pushteti lokal në Fushë-Kosovë.

Hasan Ismajli, asamblist nga radhët e AAK-së, thot se ka kërkuar reagim nga ekzekutivi i Komunës për këtë çështje.

“Fushë-Kosova dihet se është e ndotur nga ajri, atëherë edhe këto mbeturina e pamundësojnë një jetë të qytetarit të jetë më e pastër dhe sidomos fëmijët kalojnë andej për me shku në shkollë dhe çerdhe dhe është e dëmshme”- ka thënë ndër të tjera Ismajli.

Sipas asamblistit nga Lëvizja Vetëvendosje, Durim Hajra, problemi me mbeturinat në këtë rrugë është për shkak të mungesës së inspektimeve nga Drejtoria e Inspektoratit.

“Heshtja ose mosveprimi i nivelit lokal është në nivel shqetësues, sidomos në Drejtorinë e Inspektoratit, sepse realisht tek ai kompleksi ku po bëhet fjalë kemi të bëjmë me kompetencë të Drejtorisë së Inspektoratit”- ka thënë Hajra i LVV-së.

Nga Drejtoria e Inspektoratit arsyetohen se zona në fjalë është kantier ndërtimi dhe se deri në përfundimin e punimeve prania e materialeve ndërtimore do të jetë prezente.

Sipas Komunës, dy kompanitë që po kryejnë ndërtimet, tashmë janë angazhuar që ta pastrojnë vendin nga mbeturinat.

“Kjo zonë aktualisht është një kantier ndërtimi dhe punimet në objektet përreth ende nuk kanë përfunduar. Për këtë arsye, prania e materialeve ndërtimore është pjesërisht e pashmangshme deri në përfundimin e punimeve. Megjithatë, Drejtoria për Inspektorat ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të adresuar këtë situatë dhe ka zhvilluar takime me kompanitë Cima Construction dhe Arditi Group. Këto kompani kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të pastruar zonën në një afat sa më të shpejtë kohor”- thuhet në përgjigjen e tyre.

Mirëpo, nga kompania që po kryen ndërtimet në këtë zonë,  “Cima Construction”, thonë se kjo është e zakonshme duke qenë se gjatë punimeve ndërtimore shkaktohen mbeturina dhe mbetje të materialeve.

“Përveç që duket keq nuk ka ndonjë problem tjetër që shkakton se nuk është e banueshme. Tash ka qenë periudha e dimrit dhe tash nuk punohet, për atë arsye ka mbetë ashtu pa pastruar për një kohë”- theksojnë nga kjo kompani.

KALLXO.com ka tentuar të marrë sqarim edhe nga kompania tjetër ndërtuese “Arditi Group”, por deri në publikimin e artikullit nuk kanë qenë të qasshëm.

Komuna e Fushë-Kosovës aktualisht udhëhiqet nga Burim Berisha, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për problemin me mbeturina dhe çështjet e tjera në këtë komunë, Berisha u ballafaqua në debatin “Jeta në Komunë”, të transmetuar në tetor të vitit 2024.