Kontenjerët e prodhuar për Prishtinën, Foto: KRM Pastrimi/Facebook

Kompania "Pastrimi": 1 prilli, afati i fundit për pagesën e mbeturinave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” përmes një njoftimi ka bërë të ditur se afati i fundit për pagesën e faturave të mbeturinave është deri më 01.04.2025. 

Në të kundërtën, pas kësaj date “Pastrimi” njofton se të gjithë klientët do të procedohen te përmbaruesi privat. 

“Për të shmangur procedimin te përmbaruesit privat, ju ftojmë të kryeni pagesat e mbetura brenda këtij afati.” – njofton kjo Kompani, më 24.03.2025. 

Çështja e pagesave të faturave ka ngritur polemika mes Komunës së Prishtinës dhe KRM “Pastrimit” për tash e disa javë. 

Kjo ngase, Komuna e Prishtinës, më 05.02.2025, njoftoi qytetarët e Kryeqytetit se nuk janë të detyruar t’i paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave, të lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi”, nga data 01.01.2025.

Ndërkaq, Ndërmarrja “Pastrimi” kundërshtoi këtë vendim të Komunës, më 03.02.2025, duke thënë se i njëjti është pa asnjë bazë ligjore dhe bie në kundërshtim me Rregulloren për Menaxhimin e mbeturinave, e cila është miratuar nga Kuvendi Komunal dhe aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Vendimi, sipas “Pastrimit”, dëmton qytetarët dhe përbën shkelje të rëndë ligjore. Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar edhe pas vendimit të Komunës së Prishtinës për shpalljen e gjendjes emergjente për krizën me mbeturinat në Kryeqytet.

Në anën tjetër, më 13.02.2025, drejtori i Shërbimeve Publike Bekim Brestovci përmes një Konference për media deklaroi se gjendja me menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet po vazhdon të jetë ende “tepër emergjente”.