Burim Berisha po shkon, problemet në Fushë Kosovë po mbeten

Mungesa e ujit pijshëm, hapësirat e gjelbra, parkingjet dhe ndërtimet e larta janë vetëm disa nga problemet të cilat kryetari aktual Burim Berisha do t’ia trashëgojë pasardhësit të tij.

Edhe pse Burim Berisha nga LDK po e drejton Fushë Kosovën për të katërtin mandat me radhë, nuk arriti të zgjidhë problemin me ujin e pijshëm.

Berisha në debatin “Jeta në Komunë” paralajmeroi se do ta japë “lamtumirën” pas këtij mandati si kryetar i kësaj komune për gati 20 vjet.

“Ky është debati i fundit me ty si kryetar i komunës, erdha me kënaqesi me thanë drejten se rrallë po vij këtu (asamble), thashë hajt t’i shoh pak çka po më vesin” – ishin fjalët e Berishes.

Qytetarëve të Fushë Kosovës para tri viteve iu premtua që do kenë ujë të pijshëm 24 orë në 7 ditë, nevojë kjo krejt esenciale, mirëpo ka akoma fshatra që e kanë këtë problem.

“Ujë po këtë herë, tash muj me premtu, a e dini pse, sepse është zgjidhë problemi i qytetit” – kështu tha Burim Berisha më 12.10.2021.

Mirëpo, edhe përkundër këtij premtimi uji nuk mund të përdoret për pije në fshatin Miradi e Epërme. Banorë të kësaj zone njoftojnë edhe për mungesë të ujit kohë pas kohe.

“Problemin e ujit e kemi kahmot, në Miradi të Epërme për momentin furnizohemi prej ujësjellësit të Kozminës i cili është ujë i papërdorshëm” – kështu është shprehur banori i fshatit Miradi e Epërme, Shefki Veseli.

Për këtë problem, kryetari Berisha tha se nuk është në dijeni.

“Me thanë të drejtën s’ia kam idenë” – kështu duke kërkuar një përgjigje nga drejtori komunal për Zhvillim Ekonomik.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Ekrem Bajrami, tha se ai e përdor ujin për pije.

“Unë e përdori ujin për disa punë e përdori, po ky është qytetar i Miradisë së Epërme e i takon edhe një strukture politike, pak është anim politik” – deklaroi Bajrami.

Vlonjat Hasani, asamblist i VV-së, gjithashtu banor i Miradisë së Epërme për ketë problematikë tha se “për momentin uji është i papijshëm, kushdo që thotë së përdoret ai ujë për pije e ka gabim”.

Ku e ‘kapi’ në rrenë Krypometri kryetarin e Fushë Kosovës? 

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, në fushatën zgjedhore të vitit 2021 kishte prezantuar projekte për të cilat ishte zotuar së do t’i realizonte me marrjen e mandatit.

Kur ishte pyetur kryetari Berisha më 12.10.2021 se sa parqe do t’i ndërtonte gjatë këtij mandati, ai ishte përgjigjur “për katër vite nja 40- 50 parqe, sa dush”.

Por fundi i vitit të tretë të mandatit e gjen Fushë Kosovën me katër parqe të ndërtuara dhe katër të tjera në ndërtim e sipër nga 50 sa ishin premtuar.

“Tetë po tetë sa 40-të, parku i Sllatinës edhe parku i Bardhit është një park i rëndësishëm edhe një park që po ndërtohet, në parkun e Sllatinës kemi bërë mbi 250 mijë euro investime” – deklaroi Burim Berisha. 

Ndërkaq, asamblisti i AAK-së, Hasan Ismajli, nuk u pajtua për ato se çfarë tha kryetari Berisha lidhur me ndërtimin e parqeve dhe investimet që kanë bërë.

“Parku i Sllatinës ekziston që sa vite, parkun e Bardhit e mbajnë qytetarët e sa i përket katër parqeve që tha kryetari, nuk është e vërtetë, tani i ka ndërtu nja katër kënde të lojërave, nuk ka park nuk ka gjelbrim” – tha Ismajli.

Përveç parqeve, Berisha kishte premtuar edhe rrënimin e Qendrës së Kulturës, duke e zëvendësuar atë më një qendër të re me më shumë hapësira dhe mundësi  shfrytëzimi. 

Por kjo qendër vazhdon të jetë një premtim i parealizuar. 7 milionë euro ishin premtuar të ndahen nga komuna për këtë projekt, por tani kryetari Berisha thotë së ky projekt nuk mund të bëhet duke hedhur fajin tek niveli qendror.

“Shtëpinë e Kulturës deri sa nuk rregullohet çështja e marrjes së parave nuk mund të bëhet ky projekt, për dy vjet janë marrë gati 2 milionë, fajin e ka niveli qendror” – ka deklaruar Berisha.

Fushë Kosova ende vazhdon të mos ketë një shesh edhe pse ishte premtuar nga kryetari Berisha.

“Sheshi, kemi fillu me vendosjen e drunjve, vazhdojmë vitin e ardhshëm, hapësirat publike do t’i pastrojmë, pastaj do të bëhet ndriçimi i ri edhe trotuari i ri në rrugën Dardania” – ka njoftuar Berisha.

Asamblisti i LVV-së, Vlonjat Hasani, u ankua për çmimin e pemëve dekorative që po mbillen në Fushë Kosovë

“Për pemët dekorative që komunës së Fushë Kosovës i kushton 446 euro një pemë që e mbjellë e që për çdo ditë ato thahen e ndërrohen, d.m.th nuk ka ndonjë përgjegjësi për to” – deklaroi Hasani.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Mjedisit, Ardit Sekiraqa, tha së përcaktimi i çmimit nuk varet nga ta por nga Ligji i prokurimit.

“Për çmimin e pemëve është ligji i prokurimit që fiton çmimi më i lirë ne nuk e përcaktojnë, mos të bejmë propagandë më thaë 400-500, na e shpallim tenderin, ofertuesi më i lirë e fiton”- tha Sekiraqa.

Kryetari Berisha kishte premtuar së do ndërtohej rruga Prishtinë – Fushë Kosovë me qëllim të përmirësimit të kaosit. Por siç duket një projekt i tillë ka mbetur peng si shkak i masave që BE-ja ia ka vendosur Kosovës.

“Ne kemi një memorandum nga rrethi deri të rrethi “Adem Jashari” me BE-në edhe me Komunën e Prishtinës me 17 milionë euro po sanksionet që ia kanë fut Kosovës, i kanë stopu këto 17 milionë euro” – tha kryetari Berisha për këtë projekt.

“Pas shiritit” të kryetarit Burim Berisha

Përurim të shkollave të reja, promovim të asfaltimit të rrugëve dhe lirim të hapësirave publike janë disa prej materialeve të cilat përshkojnë rrjetet sociale të kryetarit të Fushë Kosovës, megjithëse në këto postime nuk mungojnë as lëvdatat dhe kritikat.

Ekipi i KALLXO.com doli në terren për t’i verifikuar këto projekte dhe për të parë nëse vërtetë janë përfunduar siç janë promovuar nga kryetari i Fushë Kosovës.

Ndalesa e parë e ekipit të KALLXO.com ishte te aneksi i shkollës “Mihal Grameno”. Oborrit të aneksit të shkollës “Mihal Grameno” i mungojnë hapësirat e gjelbra, trotuaret dhe rrethojat, kështu duke e kthyer në një hapësire ta pasigurtë për fëmijët që vijojnë këtë shkollë.

“Është e vërtetë që oborri nuk është rregullu, por s’kemi arritë ende me rregullu se është shkollë e re. Ka siguri të plotë, jashtë nuk do të ketë dalje të nxënësve deri sa të rregullohet edhe park” – janë fjalët e Burim Berishës pasi ndoqi materialin e KALLXO.com.

Ndërsa më 07.09.2024, Komuna e Fushë Kosovës publikoi një material në të cilin promovonte investimin prej 200 mijë eurosh në rrugën “Hajrulla Zymi”. Por investimi doli të ketë probleme në nisjen e tij. Një veturë u fundos në gropat e hapura të cilat ishin lënë pa sinjalizim dhe pa u rrethuar ashtu siç e kërkon Ligji për siguri dhe shëndet në punë.

E për këtë, kryetari Berisha tha se në këtë vendpunishte në qendër të qytetit ka shenja dhe kona që paralajmërojnë automjetet për punime. 

“Aty ke sinjalistika, ke koni aty, aty është t’u u bo një rrugë midis qytetit” – ka thënë Berisha.

Kryetari i Fushë Kosovës promovoi po ashtu shtrim të asfaltit në zonat malore të fushë Kosovës. Por pak metra nga objekti i komunës, banorët janë në hall me rrugën “Tahir Zemaj”, e cila është prishur gjatë ndërtimit të kanalizimit.

“Nuk mujmë me dalë prej dere hiç, hyn lloçi brenda, katastrofë…Kemi bo ankesë në komunë po badihava, po na kanë thanë edhe një vit s’e ndreqim. Na jemi në kiamet nëse na lajnë edhe dimrit kështu”  – thotë banorja Hajrie Baiçi.

Ndërsa një qytetar tjetër, Avdullah Uka ka një arsyetim se perse nuk po rregullohet kjo rrugë. 

“Po dojnë me na shti me u largu prej këtuhit, se na nuk po dojmë me i dhanë shtëpitë për banesa” – tha ai.

Një postim faqja zyrtare e komunës ia kishte kushtuar edhe vendosjes së konave nëpër rrugën “Dardania”, rrugë kjo që ishte premtuar të kthehet në shëtitore.

Gjendja e rrugës kur u vizitua nga ekipi i Kallxo.com dukej të ishte vështirë e kalueshme për shkak të veturave të parkuara në trotuare, gjithashtu janë parë edhe kona të dëmtuar e të hequr nga vendi ku ishin vendosur.

“Do të rregullohet, mas pesë, gjashtë, bëhen edhe shtatë (vite), veç do ta keni një kryetar tjetër” – deklaroi Berisha.

Mungesa e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar në shkollë

Gjimnazi “Hivzi Sylejmani” në qytetin e Fushë Kosovës nuk ka infrastrukturë të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar. Mungesa e një banjo brenda shkollës të dedikuar për personat me aftësi të kufizuar ia ka vështirësuar Florent Salihut vijimin e mësimit në këtë shkollë.

Mungesa e një banjo e detyron nënën e Florentit, Miradije Salihun, të kujdestarojë djalin e saj çdo ditë pasi që duhet ta dërgojë në banjo e kafiterive për t’i kryer nevojat personale.

“Kurrgjë nuk ka bë komuna për me ndreqë, e para është tualeti që nuk ka për personat me aftësi të kufizuar, nuk është funksionale. Po kam problem se po duhet me dërgu në një lokal. Për mu si nanë është sfidë. Këtë banjon që ma ka dhanë shkolla një çelës me shfrytëzu, e kemi shfrytëzu tepër pak, u kanë shumë e papastër e s’ka pasë as unë” – thotë Salihu duke shtuar se nuk i është mundësuar ende që djali i saj të ketë një asistent. 

Kjo shkollë nuk ka as lift në mënyrë që t’iu mundësohet personave me aftësi të kufizuar të ngjiten në katet e sipërme të shkollës. Për këtë arsye, Florent Salihu nuk mund të shkojë në katet e mësipërme të shkollës. 

“Florenti trajtohet në mënyrë të veçantë, e ka banjon personale. Florenti përdorë banjon e kabinetit të mësimdhënësve me një lëshim i cili nuk është ende i zgjidhur, vetëm sholja nuk është në favor të Florentit” – është përgjigjur drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha.

Renditja në Raportin e Performancës dhe gjetjet e Auditorit

Vlerësimin që e bën Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), në raportin e performancës nuk rezultojnë të jenë aq të mira për komunën e Fushë Kosovës.

Në ketë raport Fushë Kosova ka marrë vlerësim minimal me zero pikë në kriterin për publikimet e njoftimeve për takime publike. Me zero pikë është vlerësuar edhe për funksionimin e Këshillave Lokale.

Nga ky vlerësim Fushë Kosova del të jetë keq edhe sa i përket hapësirave të gjelbra pasi është vlerësuar me vetëm 3.5 pikë në këtë aspekt. 

“Lej këto pallavra janë, performaca në arsim është në vendin e parë në Kosovë” – ka thënë kryetari Berisha.

Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2023 ka dhënë opinion të kualifikuar për Komunën e Fushë Kosovës. Auditori e jep këtë opinion kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.

Auditori konstatoi së kjo komunë ka kryer 21 pagesa në vlerë prej 818 mijë euro nga kategoritë joadekuate buxhetore.

Gjithashtu nga Auditori u evidentua se Komuna e Fushë Kosovës nuk respektoi kërkesën për të regjistruar pronat komunale dhe vlera e këtyre pronave, e cila del të jetë rreth 200 mijë euro.

Kryetari Berisha raportin e auditorit nuk e ka konsideruar si të rëndësishëm pasi që të njëjtin nuk e ka nënshkruar.

“More nuk e kam nënshkruar, sepse është puro politik, ata nuk munden me bo kualifikim të tillë për shkak të keqklasifikimit të 800 mijë euro që i kanë marrë” – ka deklaruar Berisha.

Në tenderin në vlerë mbi 400 mijë euro që ishte për blerjen e kamerave të sigurisë doli që kompania nga e cila u blenë këto kamera nuk kishte certifikatën e standardeve.

Auditorit nuk i ka ikur as vizita e 116 zyrtarëve që kishin shkuar një muaj me herët në këtë vizitë zyrtare që i kushtoi komunës hiç më pak së 14,500 euro.