Qeveria miraton masat për rimëkëmbje në vlerë prej 222.4 milionë euro

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës i ka miratuar masat për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, që është pjesë e buxhetit në vlerë prej 222.4 milionë euro.

“Sot bashkë me ministren e financave kemi dalë për të njoftuar për një vendim të rëndësishëm të cilin e kemi votuar mbrëmë në mbledhje elektronike dhe sot hyn në fuqi lidhur me masat për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, që është pjesë e buxhetit në vlerë prej 222.4 milionë euro”, tha Hoti.

Hoti prezantoi vendimin për masat specifike.

“6.5 milionë euro që do të shpërndahen për bizneset ë vogla. Ky do të jetë vendimi i parë dhe pagesa e parë. Për Ministrinë e Arsimit 5 milionë euro për arsimin në këtë vit shkollor për kushte te veçanta. Do të vazhdojmë të mbështesim  MKRS për aktivitetet kulturore sportive me 2.5 milionë euro”, tha Hoti.

Ai shtoi se për program të veçantë për të përmirësuar pozitën e gruas në shoqëri ndahen 1 milion euro, ndërkaq masa 5 është se ndahen 50 milionë euro për Shëndetësi, 40 milionë për vaskina dhe 10 për aparate.

Kryeministri në detyrë njoftoi se në sektorin e gastronomisë u ndahet një shumë prej 3 milionë eurove, gastronomive, hoteleve e të tjera.

“Ky ka qenë vendimi jonë dhe kjo shumë do të shpërndahet sa më pare që është e mundshme”, tha ai.

Sipas Hotit, në masën 9 janë komunat që do të mbështeten me 7.7 milionë euro.

“Në masën e 10 për të stimuluar me 40 milionë euro për fondin kreditor. Në masën 11 për ndërmarrjet publike 21 milionë euro nga BERZH-i kredi”, bëri të ditur ai.

Sipas këtij vendimi, masa tjetër për ndërmarrësi është prej 11 milionë euro për kompani private për inciativa të ndryshme

“Me ministrinë e ekonomisë për 16 milionë euro për zbatimin e rimëkëmbjes ekonomike. Ne ministrinë e Zhvillimit Rajonal 1 milionë euro. Masat e fundit është e 16 ne koordinim do ti rrisin që te gj  it ha pensionet qe janë nën 100 euro me shumë prej 13.5 milionë euro për skemat pensionale. 10 milionë euro për personat qw e kanë humbur punën ai rezultat i pandemisë”, tha ai.


Njoftimi i plotë i ministres së Financave, Hykmete Bajrami:

– rritja e pensioneve për 30 euro, për të gjithë ata që pensionet i kanë nën 100 Euro
– 6.5 milion për të vetë punësuarit
– vazhdimi e shtesave në shëndetësi
– vazhdimi e shtesave në polici
– dyfishimi e asistencës sociale
Këto janë disa nga masat e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021 që do të fillojnë të zbatohen menjëherë.
Këtu mund të shihni programin e plotë:
PROGRAMI I RIMËKËMBJES EKONOMIKE 2021
1. Aprovohen masat për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021, në vlerë prej dyqind e njëzet e dy milionë e katërqind mijë euro (222,400,000.00 €), me masat dhe shumat si në vijim:
1.1. MASA 1 – Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nën-programin Ndërmarrësia, do të ndahen 6,500,000 € (gjashtë milionë e pesëqind mijë euro). Ndarja e mjeteve bëhet për vazhdimin e subvencionimit në emër të linjës së pagave për bizneset aktive dhe “Të vetëpunësuarit”, me kriteret që do te caktohen me vendim të veçantë të Qeverisë.
1.2. MASA 2 – Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do të ndahen mjete në shumë 5,000,000 € (pesë milionë euro) për mbështetjen e sektorit të arsimit për të mundësuar mbarëvajtjen e mësimit gjatë vitit shkollor 2020/21;
1.3. MASA 3 – Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të ndahen mjete në shumë
2,500,000 € (dy milionë e pesëqind mijë euro) për mbështetjen financiare për punësimin e të rinjve, përkrahjen e organizatave të shoqërisë civile, grupeve tjera jo formale, stimulimin e aktiviteteve kulturore, artistike, sportive dhe rivitalizimit të tyre;
1.4. MASA 4 – Në Zyrën e Kryeministrit, nën-programi Agjencia për Barazi Gjinore, do të ndahen mjetet në shumë 1,000,000 € (një milionë euro) për mbështetjen financiare për projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi;
1.5. MASA 5 – Në Ministrinë e Shëndetësisë, për mbështetjen e sektorit të shëndetësisë do të ndahen mjete në shumë 50,000,000 € (pesëdhjetë milionë euro) dhe atë si vijon:
– 1.5.1. Blerja e vaksinave anti COVID-19 në shumë 40,000,000 € (dyzetë milionë euro) dhe
– 1.5.2. Blerja e materialeve për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe aparaturave mjekësore në shumë 10,000,000 € (dhjetë milionë euro).
1.6. MASA 6 – Sigurimi i shtesës mbi pagë për sektorët që bartin barrën kryesore në menaxhimin e pandemisë, për punëtorët e këtyre sektorëve në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërsëdrejti rrezikut të infektimit me COVID-19 në punën e tyre (jo i gjithë stafi i këtyre institucioneve), do të ndahen mjete në shumë 11,000,000 € (njëmbëdhjetë milionë euro).
1.7. MASA 7 – Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në nën-programin Departamenti i Politikave Bujqësore, do të ndahen mjete në shumë 12,000,000 € (dymbëdhjetë milionë euro) sipas kritereve dhe procedurave të Programit për Pagesat Direkte për vitin 2021.
1.8. MASA 8 – Në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë, në nën-programin Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, do të ndahen mjete në shumë 9,000,000 € (nëntë milionë euro) dhe atë si vijon:
– 1.8.1. Subvencionimi i eksportit për prodhuesit vendor në shumë 5,000,000 € (pesë milionë euro);
– 1.8.2. Subvencionimi i stoqeve të qumështit dhe produkteve të qumështit në shumë 1,000,000 € (një milionë euro) dhe
– 1.8.3. Subvencionimi i sektorëve të prekur nga vendimet e Qeverisë për ndalimin e aktiviteteve (gastronomia, sallat e dasmave, sallat e sportit, qendrat rehabilituese dhe të ngjashme), në shumë 3,000,000 € (tre milionë euro).
1.9. MASA 9 – Mbështetje për komunat e Kosovës për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në shumë 7,900,000 € (shtatë milionë e nëntëqind mijë euro).
1.10. MASA 10 – Në Ministrinë e Financave, përkatësisht Thesar, lidhur me rritjen e mbulueshmërisë së kredive të reja dhe lehtësimin e qasjes në financa, do të ndahen mjete në shumë 44,500,000 € (dyzetë e katër milionë e pesëqind mijë euro), për Fondin Kosovar për Garanci të Kredive, dhe atë si vijon:
– 1.10.1. Rritja e kapitalit për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në shumë 40,000,000 € (dyzetë milionë euro) dhe
– 1.10.2. Mbulimi i kostos së tarifës së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, në shumë 4,500,000 € (katër milionë e pesëqind mijë euro).
1.11. MASA 11 – Ndahen mjete në shumë 21,000,000 € (njëzet e një milionë euro) për Ndërmarrjet Publike financuar nga Kredia e Likuiditetit të Urgjencës së Infrastrukturës Vitale financuar nga BERZH, në momentin e pranimit të tyre. Këto mjete kanalizohen përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, nën-programit Njësia për Politika dhe Monitorim të NP-ve.
1.12. MASA 12 – Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nën-programin Mjedisi, do të ndahen mjete në shumë 3,000,000 € (tre milionë euro) për realizimin e projektit “Për ambientin dhe gjelbërimin e tokës” me kod 18745.
1.13. MASA 13 – Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nën-programin Ndërmarrësia, për mbështetje për ndërmarrësi, do të ndahen mjete në shumë 1,000,000 € (një milionë euro).
1.14. MASA 14 – Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nën-programin Ndërmarrësia do të ndahen mjete në shumë 16,000,000 € (gjashtëmbëdhjetë milionë euro), për subvencionim për tarifën e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE), në përputhje me nenin 15 të Ligjit Nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.
1.15. MASA 15 – Në Ministrinë e Zhvillimi Rajonal, në nën-programin Administrata Qendrore do të ndahen shuma 1,000,000 € (një milion euro) për mbështetjen e programeve ekzistuese dhe të reja që lidhen me zhvillimin rajonal që ndikojnë në zhvillimin e balancuar rajonal.
1.16. MASA 16 – Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në nën-programin Ndihmat Sociale me kod 00500, do të ndahen mjete në shumë 31,000,000 € dhe atë si vijon:
– 1.16.1. Mbështetje për skemat pensionale për individët që përfitojnë më pak se 100 euro në muaj në shumë 13,500,000 € (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro)
– 1.16.2. Mbështetje për skemat sociale në shumë 7,500,000 € (shtatë milionë e pesëqind
mijë euro) dhe
– 1.16.3. Mbështetje për personat që kanë humbur vendet e punës, si pasojë e pandemisë (COVID-19) në shumë 10,000,000 € (dhjetë milionë euro).
Hykmete N. Bajrami
Ministre në detyrë
Ministria e Financave
Qeveria e Republikës së Kosovës