Qeveria kërkon që për festat zyrtare që bien në fundjavë të mos ketë pushim ditëve të javës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme i ka proceduar Kuvendit mendimin lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrë së Kryeministrit, në mendimin e Qeverisë janë përfshirë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së.

Qeveria e konsideron të nevojshme që ky projektligj duhet të plotësohet dhe ndryshohet dhe neni 4 të fshihet në tërësi dhe të riformulohet si në vijim: “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, nuk do të jenë ditë pushimi ditët pasardhëse të punës”.

Aktualisht, sipas Ligjit për festat zyrtare në Kosovë, kur ditët e festave bien në ditë pushimi, ajo ditë bartet si ditë pushimi në ditë të punës.