Foto: REL/Reuters

Qeveria gjermane përkrah Lajçakun si emisar i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Zgjedhja e diplomatit sllovak Miroslav Lajçak si përfaqësues special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi është mirëpritur nga Berlini zyrtar.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane të premten i tha KALLXO.com se Qeveria Federale mbështet fuqishëm vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vende.

Zyra e numrit një në Gjermani, Angela Merkel, nuk ka dashur të komentoj zhvillimet e fundit në vend për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës ndërsa ka kërkuar nga forcat politike të bëhen bashkë kundër virusit COVID-19.

“Sfida e shtruar nga coronavirus na paraqet sfida kryesore në të gjithë botën. Pavarësisht nga mosmarrëveshjet, është e rëndësishme që të gjitha forcat politike në Kosovë të përqendrohen në kontrollin e pandemisë”, tha për KALLXO.com, një zëdhënës i qeverisë gjermane.

“Në lidhje me marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, Qeveria Federale mbështet fuqimisht dialogun për normalizimin e ndërmjetësuar nga BE. Me ish-Ministrin e Jashtëm Sllovak, Mirosllav Lajçak, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme, Josep Borrell, ka emëruar një përfaqësues special shumë kompetent”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të kancelares Angela Merkel.

Ditë më parë, zgjedhjen e Lajçak në krye të dialogut Kosovë-Serbi e mirëpriti edhe Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt.

Shteti gjerman, edhe njëherë, ka kërkuar heqjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe Bosnje Hercegovinës.

“Një hap i rëndësishëm tani do të ishte heqja e plotë e tarifave 100% të Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina”, nënvizon një zëdhënës qeveritar nga Berlini.

Kosova nga data 25 mars mbeti me Qeveri në detyrë pasi LDK inicio një mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.

Me 82 vota për, 34 kundër e 1 abstenim ra qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Lista: Deputetët që votuan për rrëzimin e Qeverisë Kurti

www.kallxo.com