Qeveria franceze do të përballet me votë mosbesimi për shkak të rritjes së moshës së pensionimit

Qeveria franceze do të përballet me votë mosbesimi sot, e hënë, pasi deputetët e atjeshëm kanë deklaruar se kanë frikë për sigurinë e tyre, aksionet e grevës u intensifikuan dhe policia i ka ndaluar demonstruesit nga pjesët e Parisit qendror pas vendimit të Emmanuel Macron për ta shtyrë përpra vendimin e rritjes së  moshës së pensionit edhe pa votat e parlamentit.

Politikanët e opozitës kanë paraqitur dy mocione mosbesimi në shenjë proteste ndaj qeverisë duke përdorur pushtetet e diskutueshme ekzekutive për ta rritur moshën e pensionit shtetëror nga 62 në 64 vjet.

Presidenti francez vendosi javën e kaluar që qeveria duhet ta përdorë nenin 49.3 të kushtetutës për ta anashkaluar parlamentin, sepse ka frikë se nuk mund t’i mbledhë votat e mjaftueshme për ndryshimet në ligjin e pensioneve.

Pas dy muajsh protestash kundër ndryshimeve të pensioneve dhe grevave të udhëhequra nga një front i rrallë i bashkuar i të gjitha sindikatave, frustrimi vazhdoi të rritet gjatë fundjavës, me demonstrata në shumë qytete. Më shumë greva hekurudhore, ajrore dhe shkollash janë planifikuar gjatë javës së ardhshme.

Dy mocionet e mosbesimit shihen si të pamundura për t’u kaluar, pasi do të kërkonin një grupim të paprecedentë së bashku të të gjitha partive kontradiktore të opozitës.

Një sondazh në Journal du Dimanche të dielën tregoi se popullariteti i presidentit aktual Macron ka rënë në nivelin më të ulët që nga protestat antiqeveritare të jelek-verdhëve katër vjet më parë.

Më shumë se 160 persona janë arrestuar në të gjithë Francën në orët e para të mëngjesit të së dielës, pas natës së tretë radhazi të protestave në rrugë që kur qeveria shtyu përpara  ndryshimet në ligjin e pensioneve./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala