
Kandidati i AAK-së Arton Demhasaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
"Qeveria e opozitës": Demhasaj i AAK-së e sheh problematike qasjen e LDK-së
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po zhvillon bisedime me PDK-në e LDK-në për formimin e “Qeverisë së opozitës”, me synim për ta lënë Vetëvendosjen në opozitë.
Arton Demhasaj nga kjo parti, i cili ka qenë edhe kandidat për Deputet, për KALLXO.com ka thënë se ende nuk ka diçka konkrete nga këto takime.
Ai ka shtuar se AAK në asnjë rrethanë nuk është që me hy në koalicion me VV-në.
“Ka pasë takime mes nesh dhe PDK-së. Ka pasë edhe mes LDK-së e PDK-së. Po ashtu ka pasë takime edhe me NISMA-n. Diçka konkrete nuk ka ende. Ekziston një përshtypje e disa partive që kanë qenë në opozitë që fillimisht t’i lihet të parës të tentojë me e formu Qeverinë, e më pas, kur e para nuk arrinë potencialisht me e siguru shumicën parlamentare, atëherë partitë opozitare me u ulë e me pa se çka munden me bë.” – ka thënë Demhasaj.
Ftesë nga Vetëvendosja për të biseduar për formimin e Qeverisë, AAK nuk ka marrë e as nuk pret.
“Nuk kemi marrë ftesë nga Vetëvendosja dhe nuk presim me marrë ftesë për shkak të qëndrimit të qartë që e ka dhënë zotëri Haradinaj, para dhe pas Zgjedhjeve. Kjo që AAK në asnjë rrethanë nuk është që me hy në një koalicion me VV-në.” – thotë ai.
Tutje, ai deklaron se nuk janë për koalicion me VV-në sepse nuk kanë realizu premtimet dhe i kanë prishur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
AAK qëndron ende në pozicionin e saj që Qeverinë e re e do me PDK-në, LDK-në, NISMA-n dhe partitë politike të komuniteteve joshumicë joserbe.
Demhasaj deklaron se qasja e LDK-së është problematike.
“Unë nuk kam qenë në takim dhe nuk e di se çfarë është diskutuar. Po, përshtypja ime është që qasja e LDK-së është pak problematike, për vetë faktin që nëse për katër vjet LDK e ka konsideru Qeverinë Kurti 2 si të dëmshme për Kosovën dhe ka punu që VV-në me e çu në opozitë, e tash e ka një mundësi të tillë dhe nuk ka gatishmërinë e duhur me e bë tash, është pak problematike.” – ka shtuar Demhasaj.
Demhasaj shton se, sipas tij, duket se LDK më shumë po i kushton rëndësi partisë se sa Kosovës, por që “mbetet të shihet qasja zyrtare e LDK-së pas konstituimit të Kuvendit”.
Sa i përket NISMA-s, Demhasaj thotë se edhe pse ka thënë se mund të bashkëpunojë me LVV-në, edhe ajo është shprehur e hapur për një Qeveri të opozitës.
Edhe pse janë certifikuar Zgjedhjet, kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar të japë përgjigje se si do të arrijë t’i bëjë 61 deputetë për ta formuar Qeverinë dhe nëse ka nisur bisedimet për koalicion paszgjedhor – ashtu siç kishte thënë.
Një ditë pas certifikimit, më 28.03.2025, KALLXO.com provoi ta marrë një përgjigje nga ai pas ceremonisë së certifikimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj, por ai iku pa asnjë përgjigje.
Në lidhje me bisedimet për koalicione, Kurti kishte thënë vetë se do të përgjigjet pas certifikimit të Zgjedhjeve.
Një ditë pas certifikimit të Zgjedhjeve, më 28.03.2025, kandidati për Kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza kishte deklaruar se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike dhe asnjë politikan në Kosovë.
Ai tha se kanë pasur komunikim me LDK-në dhe AAK-në për mundësinë e bashkëpunimin. Ndërsa, me LVV-në ai tha se nuk kanë arritur të takohen – duke shtuar se me ta nuk kanë ende komunikim zyrtar dhe nuk kanë pasur ftesë e nuk i kanë dërguar ftesë.
“Vijat e kuqe nuk është që i preferoj. Jemi në biseda. Asnjë barrierë, për asnjë parti politike ose asnjë politikan nga ana ime nuk ekziston. Jam i gatshëm me të gjithë me bisedu. Jemi në biseda edhe me LDK-në, edhe me AAK-në, Nismën, edhe subjektet e tjera. Nuk kemi mbërri në atë fazën ku qysh duhet me u duk formula e Qeverisë, por jemi tu diskutu. Nuk kemi mbërri në fazën e bisedave për ndarjen e posteve në Qeveri.” – tha ai në një Konferencë për media.
Ai tha se me LDK-në nuk është ende në atë fazë për ndarjen e posteve në Qeveri. Hamza tha se Kosovës nuk i duhet vakumi institucional. “Nuk e kemi komoditetin.” – tha ai.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se do të ndihmojë formimin e një Qeverie të opozitës, po asesi bashkëpunim me VV-në.
“Ne e shohim që në këtë politikë që e kam udhëheq, si ndaj mashtruesit që e udhëheq Kosovën, pra Qeverisë mashtruese, mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një Qeveri të opozitës, e asesi koalicion me VV-në.” – tha Haradinaj, në një Konferencë për media, më 10.02.2025.
Brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka pretendime se Nisma Socialdemokrate do t’i japë votat për krijimin e Qeverisë Kurti 3 – pa kurrfarë kushti. Mirëpo, ndryshe e shpjegojnë këtë në partinë që drejtohet nga Fatmir Limaj. Në Nismë mohojnë të kenë pranuar ndonjë ftesë nga LVV-ja për të biseduar rreth formimit të Qeverisë.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Fatmir Matoshi, kandidat për Deputet nga NISMA në Zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ish-Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Nuk kemi kërkesa, sepse nuk jemi duke e bërë ne Qeverinë, por është Vetëvendosja nëse dëshiron ta bëjë. I takon VV-së me u mendu dhe me vendos nëse do ta bëjë Qeverinë. Nëse do, duhet me i çu ftesat e mandej duhet me i trajtu. Ata nuk munden pafundësisht me u sjellë papërgjegjshëm me rezultatin e tyre që e kanë marrë.” – ka deklaruar Matoshi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025: me 9 vota për dhe 2 kundër në mbledhjen e së enjtes, më 27.03.2025.
Certifikimi i rezultatit të Zgjedhjeve hap rrugën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së Qeverisë së re.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 66 i saj parasheh që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të Zgjedhjeve.
Paragrafi i Tretë i këtij Neni parasheh që seanca të thirret nga kreu i shtetit. Nëse presidentja Vjosa Osmani nuk vepron brenda këtij afati, Kuvendi i ri mblidhet vetë në ditën e 30-të.
“Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.” – thuhet në Pikën 3 të Nenit 66 të Kushtetutës.
Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 posti i Kryetarit të Kuvendit i takon LVV-së.
Sipas këtij rezultati Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 deputetët në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.
Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë, 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit.
10 deputetët e tjerë do të jenë nga komunitetet e tjera joshumicë.
Dy deputetë i ka Kosova Demokratik Turk Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.