Ilustrim

Qeveria e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të largohen sa më parë nga Ukraina

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të largohen sa më parë nga Ukraina.

Këtë njoftim e ka bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës iu bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos udhëtojnë drejt Ukrainës dhe nëse ndodhen atje, të largohen sa më parë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD thotë se për shkak të rritjes së tensioneve nuk mund të përjashtohet edhe fillimi i një konflikti të armatosur.

“Pas rritjes dramatike të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës, të shkaktuara nga prania dhe lëvizjet e mëdha të trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, tashmë nuk mund të përjashtohet më, fillimi i një konflikti të hapur të armatosur”, thuhet më tutje në njoftim

Po ashtu Ministria thotë se qytetarët e Kosovës që gjenden në Ukrainë mund të kontaktojnë Ambasadën e Kosovës në Pragë.

“Për informacione aktuale dhe ndihmë konkrete, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Ukrainë mund të kontaktojnë Ambasadën e Kosovës në Pragë në numrin: + 420 257 217 775 ose në adresën e emailit:   [email protected]” thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Për shkak të mundësisë së një agresioni rus në Ukrainë shumë shtete u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen nga Ukraina.

Disa të tjera kanë tërhequr edhe personelin diplomatik nga kryeqyteti ukrainas Kiev.

Në këtë drejtim, së fundmi Australia dhe Kanadaja kanë ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara.

Qeveria e ShBA-së tha se konsideron një pushtim rus është i mundur përpara mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë më 20 shkurt.

ShBA dhe aleatët e saj në NATO akuzojnë se Rusia po përgatit një sulm të ri ndaj Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, një akuzë që Rusia e mohon, pavarësisht se ka vendosur më shumë se 100,000 trupa në kufijtë e Ukrainës.

Mes rritjes së tensioneve, Kremlini ka kërkuar që NATO të kufizojë aktivitetet në Evropën Lindore dhe të premtojë se nuk do të shtojë asnjë republikë të mëparshme sovjetike – si Ukraina – si anëtarë të rinj.

Në përgjigje të krizës, vendet e NATO-s kanë vendosur trupa dhe pajisje për anëtarët e tjerë, shtetet që ndajnë një kufi me Ukrainën.