Kiev/ Ukrainë Foto: JamesHills

Australia dhe Kanada evakuojnë ambasadat në Kiev

Qeveritë australiane dhe kanadeze kanë ndjekur Shtetet e Bashkuara në pezullimin e operacioneve në ambasadat e tyre në Kiev mes frikës se një pushtim rus i Ukrainës mund të jetë i afërt.

“Duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë të shkaktuar nga grumbullimi i trupave ruse në Ukrainë, qeveria ka udhëzuar largimin e stafit në Ambasadën Australiane në Kiev dhe ka pezulluar përkohësisht operacionet në Ambasadën tonë në Kiev,” tha Ministrja e Jashtme Marise Payne në një deklaratë të dielën.

Payne tha se operacionet e Ambasadës do të zhvendoseshin përkohësisht në qytetin ukrainas, Lviv, më në perëndim se kryeqyteti.

Kanada bëri një njoftim të ngjashëm të shtunën, se operacionet e Ambasadës së vendit do të lëviznin nga Kievi në Lviv.

Të shtunën, SHBA njoftoi se po tërhiqte shumicën e stafit të Ambasadës së saj nga kryeqyteti ukrainas.

Shërbimet konsullore në ambasadë do të ndërpriten nga e diela, tha Departamenti i Shtetit, ndërsa disa anëtarë të stafit do të transferohen në Lviv, i cili ndodhet rreth 70 kilometra larg kufirit polak.

Kiev po përgatitet gjithashtu për trazira, pasi kryebashkiaku i kryeqytetit Vitalo Klitschko i tha gazetës gjermane Bild am Sonntag se banorët “po përgatiten për më të keqen.”

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë parasysh se ambiciet gjeopolitike të presidentit rus Vladimir Putin shtrihen në shtetet baltike dhe se Ukraina është “vetëm fillimi.”

Komentet e tij erdhën përpara vizitave të planifikuara të kancelarit gjerman Olaf Scholz në Kiev dhe Moskë në fillim të javës së ardhshme, e fundit në një varg përpjekjesh nga liderët botërorë për të de-përshkallëzuar konfliktin.

Një numër vendesh kanë këshilluar qytetarët e tyre në Ukrainë që të largohen nga vendi pasi Uashingtoni tha të premten se një pushtim mund të ndodhë në ditët në vijim.

Qeveria e SHBA-së tha se konsideron një pushtim rus është i mundur përpara mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë më 20 shkurt.

SHBA dhe aleatët e saj në NATO akuzojnë se Rusia po përgatit një sulm të ri ndaj Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, një akuzë që Rusia e mohon, pavarësisht se ka vendosur më shumë se 100,000 trupa në kufijtë e Ukrainës.

Mes rritjes së tensioneve, Kremlini ka kërkuar që NATO të kufizojë aktivitetet në Evropën Lindore dhe të premtojë se nuk do të shtojë asnjë republikë të mëparshme sovjetike – si Ukraina – si anëtarë të rinj.

Në përgjigje të krizës, vendet e NATO-s kanë vendosur trupa dhe pajisje për anëtarët e tjerë, shtetet që ndajnë një kufi me Ukrainën./REL