Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria e Kosovës tregon shqetësimet që u adresuan sot në takimin e Brukselit

Qeveria e Kosovë ka njoftuar për takimet e ndara bilaterale në nivel kryenegociatorësh me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të dialogut të Brukselit.

Në një komunikatë për media, ekzekutivi ka theksuar se zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në takimin me Lajçak diskutoi rreth gjendjes së zbatimit të dakordimeve të arritura në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese.

Tutje thuhet se u bisedua për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, rreth zhvillimeve të fundit, mbajtjes së takimeve të shpeshta të nëngrupeve punuese si dhe gërmimet dhe pranimin e mbetjeve mortore të viktimave të luftës të gjetura në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Delegacioni i Kosovës thuhet se ngriti shqetësim të madh për rastin e fundit, kur Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, ka shkelur të drejtën e sportistëve dhe të Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Boksit, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit.

“Ndalesa e bërë ekipit përfaqësues të boksit duke mos ua lejuar hyrjen në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që mbahej në Beograd, nga delegacioni kosovar u theksua si veprim i palës serbe që është plotësisht në kundërshtim me frymën e lëvizjes së lirë, që promovohet përmes marrëveshjes së Brukselit në raport bilateral me Serbinë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, sipas Qeverisë së Kosovës, shqetësim tjetër i ngritur janë pengesat e shkaktuara nga autoritet serbe në transferin e mjeteve për Luginë e Preshevës.

“Nga pala kosovare u kërkua facilitim shtesë nga BE-ja, veçanërisht duke pasur parasysh domosdoshmërinë e një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë,  meqenëse nga Ministria e Financave dhe Transfereve të Republikës së Kosovës janë planifikuar dy milionë euro për Luginën e Preshevës në buxhetin e vitit të ardhshëm”, njoftoi Qeveria.

Edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është deklaruar për takimin e sotëm në Bruksel në nivel kryenegociatorësh mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak pas takimit është shprehur se është koha për përparim të vërtetë në kuadër të negociatave mes të dyja vendeve.

Nga BE kanë deklaruar se presin që para fundit të vitit të mbahet një takim i ri ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por ende nuk dihet nëse do të mbahet ky takim. Pala serbe po insiston që të zbatohet marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përderisa Qeveria e Kosovës thotë se kjo është antikushtetuese.