Qeveria e Kosovës ndalon përdorimin e Tik Tok-ut në institucionet publike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, më 28.06.2024, ka miratuar propozim vendimin që të ndalojë përdorimin e rrjetit social Tik-Tok në të gjitha institucionet publike.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se ky vendim ka qëllim eliminimin e sulmeve kibernetike.

“Me qëllim të eliminimit të sulmeve kibernetike, Ministria e Punëve të Brendshme ka përgatitur propozimin”- u shpreh Kurti.

Zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha të gjithë zyrtarët po ashtu janë të obliguar ta largojnë aplikacionin në pajisjet zyrtare.

“Me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike MPB i propozon Qeverisë të ndalojë instalimin e Tik-Tok. Obligohen të gjitha institucionet publike që të vendosin kufizimet e nevojshme teknike po ashtu të gjithë zyrtarët janë të obliguar që ta largojnë në pajisjet zyrtare”- u shpreh zëvendësministri Dobra.

Vendim të tillë ka marr edhe Komisoni Europian në shkurt të vitit 2023, e që kishte ndaluar aplikacionin Tik Tok në telefonat e punonjësve.

Komisioni i BE-së u ndaloi punonjësve të tij të përdorin aplikacionin TikTok në telefonat celularë ose laptopët e punës.

Sipas Brukselit punonjësit duhet ta fshijnë aplikacionin sa më shpejt të jetë e mundur, afati i fundit është data 15 mars. Arsyeja e këtij vendimi është mbrojtja e të dhënave dhe shqetësimi për aksesin e mundshëm të shtetit kinez në kompaninë kineze të TikTok, Bytedance.

Një zëdhënës i TikTok-ut u shpreh “i zhgënjyer” duke thënë se vendimi bazohet në një “gjykim të gabuar”.

TikTok është në qendër të kritikave në mbarë botën për shkak të dyshimeve lidhur me privatësinë. Edhe autoritetet e SHBA-së e kanë ndaluar aplikacionin TikTok në telefonat celularë zyrtarë.

TikToku ka një miliardë përdorues në mbarë botën dhe është veçanërisht i përhapur ndër brezin e ri. Në nëntor 2022 TikTok-u pranoi se punonjësit e kompanisë në Kinë mund të kenë akses në të dhënat e përdoruesve evropianë.

 

Komisioni i BE-së ndalon TikTok-un në telefonat celularë të punonjësve