Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social, kërkon shkarkimin nga puna të logopedit Fazliu

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social ka reaguar për kthimin në punë të Logopedit nga Gjilani, i cili ishte arrestuar si i dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, Iljasa Fazliu.

Përmes një reagimi kjo qendër ka thënë se vendimi i kthimit të Iljasa Fazliut në punë paraqet rrezik për shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës dhe precedent të dëmshëm.

“Sot, ndonëse faktet për abuzimin e ushtruar nga Iljasa Fazliu janë publike dhe të padiskutueshme dhe i njëjti është ende nën hetime si dhe ende nuk ka pranuar licencën e tij nga Oda e Infermierëve të Kosovës, ai vazhdon të punojë në SHSKUK si logoped” – thuhet në reagim.

Kjo qendër e ka përshkruar edhe videon e publikuar të logopedit Fazliu në klinikën e tij.

“Në fund të nëntorit është publikuar një video* e logopedit Iljasa Fazliu, në të cilën qartazi mund të shihet abuzimi i tij ndaj një fëmiu me autizëm në klinikën private “AAR LOGO PLUS”. I njëjti ka mbajtur pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Shefit të Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë pa pasur licencë nga Oda e Infermierëve të Kosovës, ashtu siç kërkohet për të praktikuar punën logopedët. Pas zbardhjes së rastit, Iljasa Fazliu është ulur nga pozita e U.D. dhe është arrestuar për shkelje të Ligjit të Shëndetësisë, ku është mbajtur në paraburgim për një kohë” – është thënë në reagim.

Në reagimin e Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social thuhet se abuzimet ndaj fëmijëve, sidomos të fëmijëve me autizëm, kanë pasoja afatgjate në shëndetin e tyre mendor.

“Me këtë vendim, SHSKUK i vendosë në rrezik të abuzimit të mëtejshëm të gjithë fëmijët të cilët mund të kërkojnë trajtim nga logopedi, çka mund të shkaktojë, ndër të tjera, çrregullime të depresionit, ankthit, apo të shfaqë mendime për vetëvrasje. Kjo gjithashtu e forcon normalizimin e dhunës, duke e bërë atë institucionale dhe të pandëshkueshme” – thuhet tutje.

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social cilëson se kthimi në punë i logopedit Fazliu është i pa pranueshëm.

“SHSKUK ka për obligim që të sigurojë standardin më të lartë të shërbimeve të cilat ofron. Andaj, ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Iljasa Fazliut nga SHSKUK dhe të komisionit disiplinor të cilët e kanë mundësuar kthimin e tij. Këto shkarkime janë të domosdoshme për të ofruar një hapësirë të sigurt të punës dhe për të rifituar besimin e qytetarëve. Çdo hap tjetër është i pa pranueshëm” – përfundon reagimi.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me kthimin në punë të logopedit Fazliu.

Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës ka thënë se i njëjti është kthyer në punë vetëm si logoped në Klinikën e ORL-së, por jo u.d. shef i shërbimit.

“Komision Disiplinor vendimin e ka bazuar në Certifikatën mbi Dënimet Penale të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku I. F. figuron se nuk është i dënuar me Aktgjykim të formës së Prerë” – thuhet në njoftim.

Sipas drejtorisë logopedi Fazliu ka sjellë dëshminë nga Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor të Kosovës, Vërtetim, sipas të cilit është në procedurë të ri licencimit të tij nga data 5 janar 2023.

KALLXO.com kishte provuar të marr një qëndrim edhe nga logopedi por që i njëjti nuk është përgjigjur duke thënë se është i zënë.

Fazliu ishte ulur nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Shefit të Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) më 29 nëntor.

Raportimet e Kallxo.com për logopedin Fazliu mund t`i gjeni në këtë LINK.