Intervistë me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qelaj: Rasti i Shyhrete Berishës, udhëzim në punën time si Avokat i Popullit

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, përballë Jeta Xharrës deklaroi se rasti gjyqësor i Shyhrete Berishës, që është zvarritur për shumë vjet, do të jetë udhëzim në punën e tij.

Vetë Qelaj ka qenë avokat i Shyhrete Berishës.

“Sistemi i drejtësisë ka shumë probleme. Problemi kryesor te rasti i Shyhrete Berishës ka qenë zvarritja e procesit. Ka qenë mohimi i të drejtës për qasje në drejtësi. Është rast që është paragjyku nga të gjithë”, tha Qelaj.

Ai bëri të ditur se ky rast ka filluar qysh në vitin 2000, ndërsa i është paraqitur atij në vitin 2015.

Qelaj tha se e ka pasur të vështirë dhe se në fillim ka hezituar ta pranojë si rast.

“Në momentin kur është paraqit, duke e njohur rastin e saj , e kam pasur problem me e nda anën profesinale prej anës emocionale. Fillimisht kam hezitu me e pranu si rast, jo për shkak se është Shyhretja, por për shkak të lidhjes time emocionale me rastin. Jam i lumtur që kam arrit me e përfundu në shkallë të parë, por në shkallë të dytë është në proces”, deklaroi Qelaj.

Qelaj tha se ky rast duhet të merret si rast që sistemi gjyqësor i Kosovës ta vë gishtin në kokë, që rastet e tilla të trajtohen më shpejtë.