I akuzuari Ekrem Bajroviq, Gjykata e Prishtinës, seanca 27.06.2024, Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO

'Qeky burrë munet me tregu kush m'i ka vra djemtë' - Dëshmia e prindit që kërkon drejtësi në gjykimin për krime lufte

 “Qeky burrë munet me tregu kush m’i ka vra djemtë. E nëse nuk tregon se kush i ka vra, i bjen që i ka vra vet. Unë nuk dal prej salle pa më tregu se kush i ka vra djemtë, vëllaun e djalin e vëllaut. Është gjynah i Zotit. Unë i kam 86 vjet, muj me dek nesra”.

Daut Elshani edhe njëherë erdhi para Gjykatës së Prishtinës, duke u mbajtur në bastunin e tij, kërkoi drejtësinë për vrasjen e 5 anëtarëve të familjes së tij, gjatë luftës në Kosovë.

Barrën e të akuzuarit në këtë rast e mban ish–pjestëri i policisë serbe Ekrem Bajroviq.

Daut Elshani vazhdoi rrëfimin e tij për tmerret që i kishte parë dhe dëgjuar në ditën e 07.05.1999 në fshatin Staradran kur forcat serbe i’a kishin marrë nga kolona e traktorit 5 anëtarë të familjes dhe i’a kishin vrarë, në mesin e tyre 3 bijtë.

Ai tha se anëtarët e familjes së tij i kishin futur në oborrin e Demë Zeqirit dhe aty i kishin vrarë. Oborri tha se i kishte tri dyer, e në derën e tretë tha se kishte qëndruar 40 minuta.

Dera e tretë, ai tha se kishte qenë me dërrasa “të rralla”. Përmes saj, e kishte parë të akuzuarin teksa siç u shpreh ai “u enke herë aty – herë aty”, por nuk e kishte parë që e kishte goditur ndokënd.

Dëshmitari tha se i akuzuari ishte i armatosur deri në dhëmbë dhe ishte bashkëpunëtor i atyre paramilitarëve tjerë që ishin prezent.

“Qeky burrë [i akuzuari] mundet me tregu kush m’i vrau djemtë. Ky u kan aty, bashkëpunëtor me k`ta. Unë e lypi të drejtën e Zotit. Nuk dua as me shtu. Memorien e trunit e kam në rregull. E kam pa Ekremin në qat derën e tretë. Ata sillshin, ky u enke her aty – her aty. K`ta nuk e kam pa tuj sjell. Ata tjerët po” – rrëfeu para gjykatës Elshani.

Elshani tregoi edhe për shpresën që e kishte pasur që do të liroheshin djemtë e tij, për ardhjen e “kasapëve” me një xhip , kontakti që kishte pasur me ta, e deri tek britmat e viktimave që i kishte dëgjuar.

“Qaty [tek dera me dërrasa]  kam nejt 40 minuta. Kur janë ba 40 minuta janë ardh kasapët. Janë ardh me një xhip të ushtrisë prej nalti – prej Peje. M’kanë thanë “çka je tuj ba ti këtu”. Xhipi ish kan plot. Mua m’bërtitën, jam skeju prapë në anën e majtë. Pritsha mos po m’i lshojnë djemtë. E kanë skeju xhipin skej zidit, dhe janë hy brenda oborrit. Është ni krisma. Prej toke deri në qiell është ni britma e tyre [viktimave].

Aty, dëshmitari tha se ishin vrarë 9 Elshanë.

“Aty janë të vramë 9 Elshanë: Hasan Elshani, Nimon Elshani, Muharrem Elshani, Avdyl Elshani (vëllau), Muhejdini, Shemsedini, Nexhmedini (bijtë e dëshmitarit), dhe Naimi, (djali i vllaut)” – tregoi para gjykatës dëshmitari.

Dëshmitari / I dëmtuari Daut Elshani, Gjykata e Prishtinës, seanca 27.06.2024, Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO

Dëshmitari tha se i ka dy pyetje për të akuzuarin Bajroviq, por nuk i’u lejua parashtrimi i këtyre pyetjeve.

Siç njoftoi gjyqtari Mentor Bajraktari, parashtrimin e pyetjeve dëshmitari ka mundësi ta bëjë në fazën e dhënies së mbrotjes së Ekrem Bajroviqit.

“Unë i kam 86 vjet, muj me dek nesra” – tha dëshmitari teksa po bëhej gati të dilte nga salla e gjykimit, pas përfundimit të dhënies së dëshmisë.

Ky gjykim do të vazhdojë edhe në sesionin e pasdites me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë të Prokurorisë Speciale.

Trupi gjykues i cili po gjykon këtë çështje penale përbëhet nga Mentor Bajraktari kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviq?

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Aktakuza thotë se në fshatin Staradran më 08.05.1999 kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.

Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.

Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilën kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 07.05.1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.

Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakovc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakovc.

Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.

Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psikike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.

Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.

Lajmet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK