PSD: Kosova e humbi një qeveri të spektaklit, duhet shkuar në zgjedhje

Partia Socialdemorkatike (PSD) ka bërë të ditur se sot ka mbledhur kryesinë e saj për të diskutuar situatën e krijuar politike në Kosovë, pas paralajmërimit të LDK-së për mocion mosbesimi ndaj qeverisë në krye me Albin Kurtin, pjesë e së cilës është vetë ajo.

PSD beson se Kurti duhet të shkarkohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“ Qeveria Kurti erdhi dhe po shkon pa asnjë program serioz, të majtë e progresiv, që adreson problemet ekonomike e sociale të Republikës së Kosovës dhe që e zgjidhë përfundimisht problemin e pazgjidhur me Serbinë. Nuk pamë sepse nuk pati asnjë plan progresiv për ekonominë. I ashtuquajturi program qeverisës, në 45 faqet e tij nuk përmend pothuajse fare fjalën barazi, e nuk flet as për rishpërndarje”, thotë PSD përmes një noftimi në Facebook.

PSD ka shtuar se qeveria Kurti ishte e spektalit dhe PR-it.

“ Një qeveri që synimin kryesor e kishte mveshjen me autoritet absolut të liderit të saj dhe që në funksion të këtij synimi rrezikoi pozitën e Kosovës në raport ndërkombëtar dhe demokracinë e vendit në aspektin e brendshëm”, thuhet më tej në deklaratë.

Kjo parti thekson se Qeveria Kurti nuk pati asnjë plan alternativ për negociatat.

“Në fakt VV-LDK qysh nga fushata parazgjedhore kanë qenë të prirura nga një mashtrim oportunist. Ato u thanë njerëzve se dialogu me Serbinë është çështje periferike për të cilën as nuk preferonin të flisnin. Si rrjedhim, gjithë çfarë deshti kjo qeveri ishte ndërrimi i figurave udhëheqëse të këtij procesi”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, Kosovës nuk i duhet qeveri e re që nuk ka legjitmitet.

“Në situatën e re politike, përgjigjjen duhet ta kërkojmë tek qytetarët. Prandaj duhet të ketë zgjedhje të parakohshme. Në momentin e parë që ta kemi kaluar koronavirusin. Kësaj here, askush s’mund të thotë se dialogu nuk ekziston. Edhe një herë, ai duhet përfunduar, sepse kështu është mirë për ne, jo sepse duan amerikanët”, përfundon njoftimi i PSD-së.

PSD në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kanditoi në një listë të përbashkët me AAK-në, por se nuk arriti të sigurojë asnjë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Dje kryeministri Kurti e ka shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Pas shkarkimit të Veliut, LDK mbajti mbledhjen e Kryesisë, ku u propozua mocion për rrëzimin e Qeverisë. Këtë mocion nuk e kanë mbështetur, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.