Prokuroria Speciale konfirmon se ka hetime për votat e diasporës, por jo për Dakën

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se është duke i hetuar pretendimet se janë të manipuluara disa vota të ardhura me postë.

“Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë të opinionit publik, lidhur me artikullin e publikuar në “Gazetën Express” më datën 15.06.2021 me titull “Bislimi akuzon Dakën për rol destruktiv në zgjedhjet e 14 shkurtit: Prokuroria ka hetuar disa manipulime të votave nga Austria”, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ju njofton se është duke i hetuar pretendimet se janë të manipuluara disa vota të ardhura me postë nga diaspora”, thuhet në një njoftim për media.

Por, Prokuroria ka theksuar se ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka as ndonjë zyrtar tjetër i KQZ-së nuk janë pjesë e këtij hetimi penal.