Prokuroria Speciale kërkon që Salih Mustafa të dënohet me 35 vite burg

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar që të akuzuarit Salih Mustafa t’i shqiptohet një dënim unik prej 35 vitesh burgim.

Duke mos gjetur asnjë rrethanë lehtësuese, ku  i akuzuari po ashtu nuk ka shprehur pendesë, nuk ka treguar keqardhje të martën, ZPS-ja propozoi dënim me burgim maksimal për të akuzuarin Mustafa.

Salih Mustafa, i njohur me nofkën komandant “Cali”, akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor, të kryera në fshatin Zllash gjatë vitit 1999.

Derisa ka folur për pikën e gjashtë të dosjes që përfshin dënimin e të akuzuarit, prokurori Cezary Michalczuk ka thënë se dënimi e arrin maksimumin.

“Bazuar në të gjitha dëshmitë që prezantuam më herët, Prokuroria e ZPS-së kërkon nga trupi gjykues të vendos dënimet sipas pikave të aktakuzës: Pika e parë – ndalimi arbitrar, me 10 vite burgim, pika e dytë – trajtim mizor, 20 vite burgim, pika e tretë – torturë, 25 vite burgim dhe pika e katërt – vrasje, 33 vite burgim” – tha Michalczuk.

Gjatë deklarimit të tij Prokuroria lëshoi edhe disa video-incizime të disa prej dëshmitarëve të cilët ishin edhe viktima.

“Rrahjet që iu shkaktuan ishin të paparashikueshme, kishte raste kur viktimat binin në tokë pa ndjenja. Mjetet që përdornin për t’i torturuar viktimat ishin: qirinj për t’i djegur, goditje me elektricitet, shkopinj druri dhe hekuri për t’i rrahur keq”- tha Michalczuk.

Më tej prokurori Michalczuk argumentoi se Mustafa bashkë me vartësit e tij përdornin shprehjet si “spiunë”, “hajn” e “bashkëpunëtorë” me qëllim që t’i etiketonin e merrnin viktimat.

“I akuzuari ishte komandant i BIA-s dhe përgjigjej për kompleksin në Zllash dhe krimet që bëheshin aty. Ai keqtrajtoi viktimat vetë duke përdorur duart dhe armët…” – shtoi prokurori.

Paraprakisht, në këtë proces gjyqësor prokurori Filippo De Minicis ka folur për krimet e kryera në fshatin Zllash, ku kërkoi dënimin e të akuzuarit.

“Duke  marrë parasysh këto çështje, sa të rënda kanë qenë krimet e bëra, rolin e të akuzuarit, praninë e tij të drejtpërdrejtë, praninë e faktorëve rëndues dhe mungesën e faktorëve lehtësues i akuzuari duhet të dënohet me dënim maksimal” – u shpreh Filippo De Minicis.

Filippo De Minicis gjatë ditës së sotme ka thënë se nga provat rezulton se viktima ishte vrarë, kurse i akuzuari mbante përgjegjësi penale.

“I ashpër ka qenë keqtrajtimi i viktimës nga i akuzuari. Ky keqtrajtim kishte të bënte me rrahje me shkopinj hekuri dhe përdorimin e thikave. E dyta, viktima nuk është liruar nga i akuzuari edhe kur të tjerët janë liruar, ishte ajo kur po largoheshin nga kompleksi i Zllashit është një moment thelbësor” – deklaroi prokurori.

Seanca gjatë gjithë ditës së martë ka vazhduar me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Smith në fjalën përfundimtare ka thënë se Mustafa ka pasur rol të dyfishtë, si komandant dhe si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në keqtrajtimet që janë kryer.

“Në këtë rast roli i dyfishtë i të akuzuarit si komandant dhe pjesëmarrës përbën një faktor të madh rëndues për dënimin e tij. Si një autor i drejtpërdrejtë Salih Mustafa siguroi që ata që ai kishte nën komandë t’i trajtonin viktimat me brutalitet dhe ashpërsi të veçantë”- ka thënë mes tjerash prokurori Smith.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas Prokurorisë, ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa nuk e kishte pranuar fajësinë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.