Prokuroria jep detaje për motivet e vrasjes së 18 vjeçares në Ferizaj

18 vjeçarja e cila ishte dërguar pa shenja jetë në spitalin e Ferizajt, dyshohet se ishte keqtrajtuar nga i dyshuari D.K., për motive të ultëta.

Prokuroria ka njoftuar se “I dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj,  Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj,  me vendim të prokurorit, është ndaluar një (1) person i dyshuar, me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale  “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Kallxo.com raportoi dje se një 18 vjeçare ishte dërguar në spitalin e Ferizajt pa shenja jete nga dy persona të dyshuar. Vetura me të cilën të dyshuarit e kishin dërguar viktimën në emergjencë sipas Prokurorisë ishte me targa zvicerane dhe më pas të njëjtit ishin larguar nga spitali.

Po ashtu Kallxo.com raportoi dje se njëri nga të dyshuarit ishte arrestuar nga Policia.