Prokuroria e Pejës gjunjëzon eksploatuesit, ua sekuestron buldozerët, ekskavatorët e kamionët

Dhjetëra makineri të rënda që shfrytëzoheshin për nxjerrjen, përpunimin dhe bartjen e zhavorrit dhe të gurit janë sekuestruar nga Prokuroria e Pejës ditëve të fundit.

Këto makineri, siç mëson KALLXO.com, janë sekuestruar në fshatin Poqestë, në kuadër të rasteve të cilat janë duke u trajtuar nga prokurorë të kësaj Prokurorie për mbrojtjen e ambientit, posaçërisht në lumenjtë që shtrihen në rrafshin e Dukagjinit.

Pamjet të cilat i ka siguruar KALLXO.com tregojnë disa prej makinerive që janë sekuestruar nga njëri nga prokurorët e Pejës në një rast që ka trajtuar gjatë muajit të kaluar.

E për këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçin.

Ai pranoi se pajisjet e rënda janë sekuestruar pas hetimeve që janë zhvilluar nga Prokuroria e Pejës.

“Janë në kuadër të veprimeve të shumta hetimore që janë bërë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Janë sekuestruar edhe mjete të tjera të seperimit të cilat kanë vlerë të konsiderueshme së bashku me kamionët dhe ekskavatorët për veprën penale – ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” – tha Nikçi për KALLXO.com.