Projekt kodi i procedurës penale parasheh suspendimin e zyrtarëve publik me aktakuza

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marr pjesë në Komisionin për Legjislacion për shqyrtimin në parim të Projekt-kodit të procedurës penale.

Haxhiu tha se prej kur e kanë marr mandatin kanë analizuar të gjitha projektligjet. Sipas saj kanë pas nëntë projektligje të gatshme për procedim.

Ministrja foli edhe për suspendimin e zyrtarëve publik me aktakuza, ajo tha se suspendimi i tyre parandalon keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

“Përmes suspendimit të zyrtarëve me aktakuza parandalohet keqpërdorimi eventual duke ushtruar funksionin dhe duke u përballur me aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Njëkohësisht suspendimi duke mos paragjykuar fundin e procesit do të mundësoj zhvillimin e procedurës penale në mënyrë të pa penguar dhe do të eliminohet mundësia e ndikimit qoftë në prova apo dëshmitar”, tha Haxhiu.

Haxhiu tutje potencoi se, suspendimi zbatohet për gjithë personat zyrtar të akuzuar për vepra penale të korrupsionit duke mundësuar kështu trajtimin me qasje uniforme ndaj tyre pa marr parasysh funksionin ose detyrën që ushtrojnë.

Haxhiu në këtë komision po ashtu potencoi se çështja e gjykimit në mungesë do vlejë për të gjitha veprat penale, jo vetëm për krime të luftës.