Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Problemet me ashensor, rënia e numrit të shtretërve e shërbimet e reja – Çka raportoi Drejtori i Neurologjisë në bordin e SHSKUK-së?

Nga 90 shtretër sa kishte më parë, Klinika e Neurologjisë gradualisht ka rënë në 49 shtretër, për shkak të renovimeve dhe marrjes së hapësirave nga Klinika e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kështu tha sot, më 09.03.2024, drejtori i Neurologjisë, Edmond Komoni, gjatë raportimit të tij para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Komoni raportoi edhe për sfidat me të cilat përballen dhe për shërbimet e reja që kjo “Klinika e Trurit” ka filluar t’i ofrojë viteve të fundit, si stroku (tromboliza dhe trombektomia) dhe skleroza multiple.

Prishja e shpeshtë e ashensorit dhe mungesa e bartësve është problemi me të cilin Komoni thotë se përballen në vazhdimësi, e që krijon vështirësi në bartjen e pacientëve, duke shkaktuar vonesa edhe në diagnostikë.

“Vonesat në diagnostikë, kjo po lidhet me pjesën e prishjeve shumë të shpeshta të ashensorit edhe çështja e bartësve, personat të cilët duhet të ndihmojë në bartje, për shkak se pacientët tanë janë të palëvizshëm. Duhet të bëhen 10-12 CT gjatë ditës e rezonanca magnetike. Duhet të lëvizin, edhe nuk punon lifti, shkallët i kemi, e dini ju spirale, janë shumë të rrezikshme për me i bart ashtu. Edhe bartës kur nuk kemi, atëherë po duhet me i thirr familjarët. Këto po na i shtyjnë terminet, po i humbim terminet, po vonohemi në diagnostikë të pacientit”- shpjegoi Komoni.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, i pranishëm në mbledhje tregoi se ashensori i kësaj klinike është shumë i vjetër dhe nuk ia vlen të renovohet. Azizi tha se të gjithë ashensorët e vjetër janë në procedurë të blerjes.

QKUK ka publikuar më 04.03.2024 në uebfaqen E-prokurimi dhënien e kontratës në vlerë mbi 48 mijë euro për blerjen e vendosjen e dy ashensorëve në Neurologji dhe në objektin e ri të Ortopedisë.

Azizi po ashtu tha se të gjitha klinikat kanë nevojë për bartës, apo siç i quajti ai, ndihmës infermier. Ai tha se përmes konkursit të ardhshëm do të tentojnë të punësojnë më shumë të tillë.

Klinika e Neurologjisë, bashkë me atë të Radiologjisë kanë filluar trajtimin e strokut (ndërprerja e papritur e furnizimit me gjak në tru) përmes procedurës mjekësore, trombolizë që nga viti 2022, e përmes trombektomisë që nga fundi i 2023. Këto procedura ekzekutohen kur pacienti arrin të paraqitet në klinikë brenda tri orëve pas shfaqjes së simptomave, siç janë mpirja e papritur, konfuzioni, problemet në të folur ose humbja e koordinimit.

Stroku, siç tha Komoni është shkaktari më i madh i invaliditetit në botë, e shkaktari i dytë i vdekjeve.

Sipas raportimit të tij, në vitin 2023 kanë realizuar 52 tromboliza, 14 më shumë se sa në vitin paraprak. Ndërsa, trombektomi janë kryer vetëm 5 raste, në katër muajt e fundit, përderisa thotë se po i rrisin kapacitetet duke trajnuar burimet njerëzore, që i kanë në mungesë për këtë shërbim.

Këto procedura janë mjaftë të kushtueshme, siç u tha në Bord materiali shpenzues për një procedurë të tillë kap koston nga 7 deri në 10 mijë euro.

Drejtori Komoni tregoi se synojnë informimin e popullatës lidhur me këto procedura, në mënyrë që pacientët të paraqiten sa më parë në klinikë, kur vërejnë simptoma të strokut.

Skleroza multiple është një sëmundje tjetër që ka filluar të trajtohet në Neurologji nga viti 2021. Sipas Komonit, aktualisht kanë 600 pacientë me këtë sëmundje, 500 prej të cilëve marrin terapi. Një lloj i terapisë, të cilën e marrin rreth 350 pacientë, sipas Komonit kushton 5 mijë e 500 deri në 8 mijë euro për një pacient në vit dhe kjo kosto mbulohet nga buxheti i shtetit.

Kjo sëmundje, që në shqip përkthehet si skleroza e shumëfishtë e cila prek trurin dhe palcën kurrizore, duke shkaktuar një gamë të gjerë simptomash të mundshme, përfshirë probleme me shikimin, lëvizjen e krahëve ose këmbëve, ndjesinë ose ekuilibrin.

Udhëheqësi i kësaj klinike tha se sfida të tjera janë sigurimi i disa barnave, pjesë të listës esenciale, për të cilat nuk ka pasur ofertues për shkak të mungesës së Autorizim Marketingut. Furnizimi me to, sipas tij do të parandalonte që disa pacientë të dërgohen në Intensivë, ku trajtohen rastet më të rënda.

Ai po ashtu tha se gjatë vitit të shkuar janë përballur dy herë me prishjen e aparaturës për CT, e cila është jashtë funksionit tash e disa muaj.

Kreu i SHSKUK-së, Azizi tha se kontrata për servisim të kësaj pajisje ka dështuar, mirëpo janë në procedurë të blerjes së një CT-je të re.

Kjo klinikë numëron 23 neurologë, 4 psikiatër e 2 psikologë klinikë, të cilët kanë trajtuar 1 mijë e 818 pacientë të hospitalizuar e kanë ofruar thuajse 16 mijë shërbime ambulantore.

Shfrytëzimi i shtretërve në Neurologji gjatë vitit 2023 ka qenë 84.7%, ndërsa mesatarja e qëndrimit të pacientëve 8.3 ditë, sipas Komonit.

Ekspertët e huaj, të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë, kanë paraparë që mesatarja e shfrytëzimit së shtretërve në QKUK duhet të jetë 85%, mirëpo shumë prej klinikave të tjera që kanë raportuar, këtë shifër e kanë pasur më të ulët.

Listat e pritjes, me të cilat pacientët përballen jo rrallëherë nëpër institucione shëndetësore, në Neurologji janë vetëm lista të planifikuara, sipas Edmond Komonit. Pra, siç tha kreu i klinikës, për testet diagnostike, pacientëve tashmë të diagnostikuar u caktohen termine sipas nevojave për përcjellje të sëmundjes çdo një, tre, gjashtë apo nëntë muaj, varësisht nevojës. Ndërsa, rasteve të reja ambulantore, u caktohen terminet brenda disa ditëve apo brenda javës. E rastet akute janë ato që kryhen brenda ditës, ose nëse nuk arrihet t’u kryhet testi, atëherë hospitalizohen.

Bordi i SHSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.

Në këtë mbledhje, mungoi kryesori i bordit, Naim Bardiqi. Me autorizim të tij, mbledhja e sotme u udhëhoq nga Enver Gashi.