Ilustrim: Pixabay

Problemet e OJQ-ve me sistemin bankar

Shumë organizata joqeveritare vazhdojnë të jenë të pakënaqura me sistemin bankar duke filluar edhe nga pagesa mujore e mirëmbajtjes. 

20 euro është pagesa mujore për mirëmbajtje të llogarisë të cilën organizatat joqeveritare që avokojnë për të drejtat e grave në Kosovë po e konsiderojnë të lartë pasi shumica veprojnë me projekte të vogla.

Kjo shumë është veç një prej shqetësimeve të tyre. Pasi sipas raportit të plaformës Civikos, disa nga problemet që OJQ-të po ballafaqohen janë; mbyllja e llogarive bankare pa paralajmërim; kërkesat që themeluesit e OJQ-ve të jenë prezent në hapje të llogarisë bankare dhe ngritja e shumave për pagesë për mirëmbajtje të llogarive vetëm për OJQ-të në shuma të papërballueshme, sidomos për OJQ-të që operojnë me projekte të vogla. 

Gjetjet e raportit thonë se lista e dokumenteve që bankat komerciale ju kërkojnë OJQ-ve për hapjen e llogarive bankare përveç dokumenteve bazike, shumica e bankave OJQ-ve ju kërkojnë edhe prezencën e të gjithë themeluesve të OJQ-së, nënshkrimet e tyre apo kopjet e letërnjoftimeve të tyre, statutin e OJQ-së, aktin themelues e deri tek lista e stafit. 

Valbona Doli Rizvanolli, nga OJQ Femrat Aktive, që nga viti 2002 ka për mision që të avokojë për të drejtat e grave të Gjakovës.

Si për të, dhe shumë organizata tjera të kësaj kategorie, mirëmbajtja në shumën prej 20 euro është e lartë për shkak, se ajo thotë se për disa muaj nuk kanë as projekte.

“Problem me banka në përgjithësi që kemi pasur ka qenë vetëm për mujoren është një vlerë e madhe 20 euro në muaj, pra vlerë që duhet të paguhet çdo muaj. Rrallëherë donatori i aprovon me projekt kur t’i shtim në linjë buxhetore ndonjëherë nuk na e aprovon. Dhe atëherë, katër-pesë muaj nuk kem projekte, grumbullohet shuma dhe duhet pastaj m`i pagu vetë s`ke rrugëdalje tjetër. Ky është problemi më i madh për organizatat që nuk janë shumë të mëdha dhe nuk munden me i mbulu me ndonjë linjë buxhetore që parashohin” – ka thënë Doli – Rizvanolli. 

Të njëjtin shqetësim e shpreh edhe drejtoresha e organizatës “Dita”, Afërdita Zeneli. 

Ajo thotë se në rastet kur nuk kanë financim për disa vjet radhazi, kur t’iu dalin mjetet pastaj në gjirollogari, banka i merrë nga 20 euro mirëmbajtje në muaj. 

“Shumë e vështirë është kur nuk kemi financim nga një vit apo dy vite dhe momentin që financohesh dhe dalin pare në konto banka t`i ndal automatikisht, pra nga 20 euro mirëmbajtje në muaj, kjo do të thotë shumë e papërballushme sepse kur je me donatorë duhesh mjetet m`i arsyetu e kto s’na arsyeton kërkush duhet me mjete vetanake” – ka thënë Afërdita Zeneli nga organizata “Dita”. 

Si organizatë që veprojnë me projekte të vogëla, thotë Mimoza Nuhiu- Ajeti nga organizata Vita- Jeta është e lartë mirëmbajtja 20 euro në muaj.

Ajo thotë se rreth dy vite më parë ka qenë një iniciativë që të merren komente prej OJQ-ve lidhur me ballafaqimin e tyre me sistemin bankar.

Sipas saj, komentet e tyre janë dorëzuar pastaj tek bankat në të cilat operojnë organizatat, por shton se nuk e dinë se çfarë ka ndodhur pastaj.

“Po dihet që kemi vështirësi, se kur nuk ka aktivitete, kur nuk kemi subvencione/donacion atëherë normalisht që këto shuma [mirëmbajtjes] janë të mëdha për neve, se edhe ashtu jemi shoqatë që kemi të ardhura jo shumë të larta, edhe projektet i marrim jo shumë të mëdha, sipas kapaciteteve që i kemi dhe normalisht që ndikon në buxhetin e shoqatës. Në të kaluarën ka qenë, u pat organizu si një lloj fushate për këtë sistemin bankar, por nuk jam në ngjarje ku kanë mbërri, i kanë adresu të këto bankat që i kanë gjirollogaritë OJQ-të” – ka thënë ajo.

Ajo tregon se disa banka edhe hezitojnë që të lejojnë organizatat që të hapin gjirollogari te ta. 

“Përmes email-it na ka ardhë me shpreh mendimin tonë dhe mandej i kanë adresu te bankat. Ka qenë dikush që e ka marrë këtë inciativë dhe na tjerët e kemi përkrah po vetëm ka qenë përmes email-it së paku dy vjet i ka kjo. Nuk kam pa që është ndërmarrë dicka, ka banka nuk lejojnë hapjen e gjirollogarive të OJQ-ve janë vetëm disa banka që pranojnë me hap në emër të OJQ-ve. Nuk e di pse,  i kam pas pyet por me siguri mund të jetë që mos të lejojnë keqpërdorime” – ka thënë ajo.

Problemet që kanë me sistemin bankar këto OJQ i ka renditur edhe Rrjeti i Grave të Kosovës në të cilën janë të anëtarësuar mbi 130 organizata.

RrGK në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se organizatat shumë shpesh për shkak që nuk kanë qëndrueshmëri financiare dhe projekte afatgjate ato as nuk kanë mundësi për me i mbulu shpenzimet për mirëmbajte mujore e sidomos ato shtesë.

“Aq sa kemi ne informata dhe nga eksperienca jonë përmes punës tonë me ndarje të granteve përmes Fondit të Grave të Kosovës, mendojmë se problemet kryesore që organizatat kanë është që tarifat i kanë të njëjta sikurse bizneset, andaj shumë shpesh për shkak që nuk kanë qëndrueshmëri financiare dhe projekte afatgjate ato as nuk kanë mundësi për me i mbulu shpenzimet për mirëmbajte mujore e sidomos ato shtesë, si p.sh. e-banking, etj. edhe detyrohen çdo pagesë me bo fizikisht nëpër banka” – thonë nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).

Gjithashtu, sipas RrGK-së, një çështje tjetër është përditësimi i të dhënave që për disa organizata nganjëherë është problem me i mbledh të gjithë themeluesit për diçka të tillë.

Çka thotë Shoqata e Bankave? 

Janë një varg i dokumenteve që bankat komerciale jua kërkojnë OJQ-ve për hapjen e llogarive bankare përveç atyre dokumenteve bazike. 

Siç janë certifikata e regjistrimit, numrit fiskal dhe letër-konfirmimi për personin e autorizuar, shumica e bankave OJQ-ve ju kërkojnë edhe prezencën e të gjithë themeluesve të OJQ-së, nënshkrimet e tyre, apo kopjet e letërnjoftimeve të tyre, Statutin e OJQ-së, aktin themelues e deri tek lista e stafit. 

Ndërkaq lidhur me çështjen e tarifave, Shoqata e Bankave të Kosovës në një prononcim për KALLXO.com kanë deklaruar se bankat aplikojnë tarifa të ndryshme dhe janë subjekt i konkurrencës së lirë për të cilat, thotë se, vendosin vetë sipas politikave të tyre të çmimeve dhe parimeve të tregut të lirë.

“Aktualisht sektori bankar për sektorin e OJQ-ve kërkon informata dhe dokumentacione të cilat janë edhe kërkesa ligjore të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës si dhe rregulloreve të BQK dhe institucioneve tjera shtetërore, për të cilat industria bankare është e obliguar t’i përmbahet, ku një nga kërkesat është edhe përditësimi i informatave të klientëve në bazë të frekuencave të përcaktuara varësisht nga niveli i rrezikshmërisë së klientit” – kanë thënë në një përgjigje Shoqata e Bankave të Kosovës.

Sipas Shoqatës, bankat nuk kërkojnë që themeluesit e OJQ-ve të jenë prezent.

“Sipas informacioneve që ne kemi nga bankat në Kosovë, ato nuk kërkojnë që themeluesit e OJQ-ve të jenë prezent, mirëpo në këto raste kërkohet vetëm përfaqësuesi zyrtar i OJQ-së i cili edhe është i regjistruar pranë DOJQ-se në ministri” – thonë nga Shoqata e Bankave.

Gjithashtu sipas tyre, nëse klienti nuk bën përditësimin e informatave sipas kërkesave ligjore, atëherë banka është e detyruar të bëj pasivizimin e asaj llogarie, organizatat paralajmërohen.

“Në rast se klienti nuk bën përditësimin e informatave sipas kërkesave ligjore, atëherë banka është e detyruar të bëj pasivizimin e asaj llogarie, gjithënjë duke e njoftuar dhe paralajmëruar klientin. Andaj, varësisht nga rasti, këta klientë mund të jenë subjekt i vlerësimit të tyre nga banka përkatëse” – thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Bankave.

KALLXO.com ka adresuar pyetje edhe tek Banka Qendrore e Kosovës. 

Mirëpo nga ky insituticion thonë se nuk kanë pranuar ankesa nga sektori i OJQ-ve. 

“Ju njoftoj se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, nuk ka pranuar së fundi ankesa nga sektori i OJQ-ve lidhur me problemet e cekura në pyetjet e parashtruara. Gjithashtu, në takimet e fundit me sektorin e OJQ-ve të organizuara nga KCSF (Fondi Kosovar për Shoqëri Civile), nuk janë ngritur problematikat e cekura nga ju” – thuhet në përgjigjen e BQK-së për KALLXO.com

Roli i shtetit

Liria e Asociimit është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, respektivisht me nenin 441.

Liria e asociimit përfshinë të drejtën e secilit person për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete të një organizate.

Të drejtën për qasje në shërbime financiare ua mundëson edhe Ligji për Liri të Asociimit më konkretisht neni 10 Liria për të kërkuar, pranuar dhe përdorur burimet, ku thotë se OJQ ka të drejtë për të kërkuar, pranuar dhe përdorur burime financiare, materiale e njerëzore, qoftë vendore, të vendit të huaj apo ndërkombëtare, për realizimin e objektivave dhe aktiviteteve të saj.

Ndalohet kufizimi, apo bllokimi i qasjes së OJQ-së në burimet në bazë të përkatësisë kombëtare apo të vendit të origjinës së burimit, si dhe stigmatizimi i atyre që pranojnë këto burime.

Po ashtu tek Ligji për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare me nenin 23 është e rregulluar edhe përfaqësuesi i autorizuar. 

Ky nen thotë se personi i autorizuar i organizatës është përgjegjës për hapjen dhe administrimin e llogarisë bankare të OJQ-së.

Ndërsa neni 36 tek transaksionet financiare të OJQ-së thotë se të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e OJQ-së, kryhen nëpërmjet institucioneve financiare të licencuara nga BQK në llogaritë bankare të hapura në emër të OJQ-së, përveç përjashtimeve të lejuara me legjislacionin në fuqi. 

Sipas raportit të Civilkos, pengesat e tilla që OJQ-të kanë në qasje në shërbime bankare përveç që e cenojnë të drejtën bazike për liri të asociimit të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kufizimet e tilla rrezikojnë që OJQ-të të kenë qasje të kufizuar në burime financiare duke vështirësuar arritjen e misioneve të tyre në dobi të përgjithshme. 

Po ashtu sipas tyre, qasja e vështirësuar në këto shërbime mund të rris rrezikun e përdorimit të formave alternative të qarkullimit me mjete financiare gjë që bije ndesh me legjislacionin e Kosovës dhe rritë mundësinë e keqpërdorimeve.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.