Prishtinë, problemet me shpronësim zvarrisin punimet për Xhaminë e madhe

Ndërtimi i një Xhamie të madhe në Prishtinë ka mbi 10 vite që diskutohet, por që punimet për të morën dritën e gjelbër vitin e kaluar.

Për disa muaj në lagjen ‘Dardania’ pati punime por që u ndërprenë edhe si shkak i temperaturave dhe situatës me pandeminë.

Kurse për të filluar prapë këto punime, Bashkësia Islame ka kërkuar që të marr në shfrytëzim rrugën poshtë lokacionit për Xhaminë, afër Postës së madhe ku në të ndodhen edhe prona private.

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal u miratua propozim vendimi për dhënie në shfrytëzim të kësaj prone komunale për Bashkësinë Islame por aty njëherë duhet të kryhet marrëveshje me banorët e asaj zone.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti para asamblesë tha se Bashkësia Islame ka kërkuar të ketë qasje në atë rrugë për të ulur tollovinë në trafik, por që nuk kanë arritur të merren vesh me banorët e shtëpive në atë rrugë që sipas tij shtëpitë i kanë në shfrytëzim.

“Urbanizmi sipas diskutimeve që kemi pasur, ka kërkuar që të jepet leje për qasje në rrugën poshtë ‘Ilaz Kodra’ që për shkak të komunikacionit të ketë qasje në dy rrugë. Në atë rrugë janë dy shtëpi të cilat pengojnë që kjo të realizohet. Problemi është se toka është e jona, kurse shtëpitë në atë tokë janë të dhëna në shfrytëzim, me dokumente kanë rreth 50 metër katrorë por që më pas kanë bërë edhe ndërtim ku shkojnë mbi 100 metër katror. Në negociata me Bashkësinë Islame nuk kanë arritur të merren vesh për çmim”, ka thënë Ahmeti.

Tutje i pari i Prishtinës tha se kuvendi do procedojë me shpronësim formal por, nuk mund ta jap në shfrytëzim për Bashkësinë Islame pa përfunduar kontrata me pronarët e shtëpive.

Ai tha se punimet për këtë Xhami janë zvarritur shumë dhe kanë presion për këto vonesa.

“Ne si komunë po procedojmë me shpronësim formal për të ia lehtësuar punën edhe Bashkësisë Islame, ende ka diskutime, jemi takuar edhe me Bashkësinë Islame Turke e cila e financon projektin. Kemi presion pasi ky projekt është vonuar shumë, ka rreth 10 vite që po diskutohet. Me këtë vendim ne na jepet autorizim jo vetëm për dhënie në shfrytëzim por edhe që ta shpronësojmë. Në paragrafin e fundit të këtij vendmi shkruan se kjo pronë mund të jepet në shfrytëzim vetëm pasi të përfundojë kontrata me ata dy pronarë privat. Në mënyrë që të jemi të pastër ligjërisht, ideja është që të jepet në shfrytëzim por që nuk mundemi pasi mbi të ka pronë e cila mund të bëhet me përfudnim të kontratave. Shumë shpejtë besoj se do ketë marrëveshje”, shtoi Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës tha se edhe Bashkësia Islame Turke ka shprehur gatishmëri të paguajë për shpronësim por jo sa kanë kërkuar banorët, ai tutje shtoi se u kanë ofruar në shfrytëzim edhe banesa pasi të tilla i kanë me kontrata edhe këto shtëpi por, që deri tani nuk ka lëvizur diçka.

“Ato dy familje kërkojnë shumë të madhe të parave dhe me dokumete i kanë rreth 50 metra kator, këto nuk do paguhen nga ne, sepse është për realizim të planit rregullativ. Edhe Bashkësia Islame turke ka shprehur gatishmëri të paguajë, por jo shumë të madhe. Shpresoj të merremi vesh para se ne të fillojmë shpronësimin. Ka mbi pesë muaj që aty nuk lëviz asgjë. Meqenëse e kanë në shfrytëzim ne u kemi ofruar edhe banesa në shfrytëzim”, ka theksuar tutje Ahmeti.

Pas shumë negociatash që kanë zgjatur disa vjet, Komuna e Prishtinës dhe BIK-u u pajtuan që Xhamia e madhe të ndërtohet në lagjen ‘Dardania’, një lokacion në mes të një Ambulance të Bashkësisë Lokale  dhe ndërtesës së Telekomit të Kosovës.

Punimet për këtë Xhami zyrtarisht kanë filluar në korrik të vitit 2020.

Ndërtimi i Xhamisë do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, me një kosto të përgjithshme prej rreth 40 milionë eurosh.

KALLXO.com ka tentuar të marr detaje edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës lidhur me këto punime por, nuk ka marr përgjigje deri në momentin e publikimit.

Xhamia e madhe me probleme të mëdha