Presidentja Osmani përkujton policin Enver Zymberi në 12 vjetorin e vrasjes së tij

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përkujtuar policin Enver Zymberi në 12 vjetorin e vrasjes së tij.

Zymberi ishte vrarë në veri të Kosovës, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës me 26 korrik të vitit 2011, për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 .

Osmani ka shkruar se Zymberi ka rënë në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës. Ajo ka thënë se ai ishte mishërim i përkushtimit, guximit dhe vetëmohimit.

“Atij, sikurse edhe të gjithë policëve të rënë në detyrë u përkulemi për kontributin e çmuar për sigurinë tonë në çdo cep të vendit. Sikurse atëherë, ashtu edhe sot, Policia e Kosovës janë mbrojtësit e palëkundur të kufijve të shtetit tonë nga agresioni i vazhdueshëm i Serbisë, prandaj ata duhet jo vetëm të respektohen por edhe të vlerësohen e mbështeten maksimalisht për punën dhe sakrificën e tyre” – ka shkruar presidentja Osmani.

Në ndërkohë, nga autoritetet është bërë e ditur se kampi i Policisë së Kosovës në Mitrovicë i quajtur ‘Belvedere’, nga sot zyrtarisht do ta marr emrin ‘Enver Zymberi’, në nderim të policit të vrarë para 12 viteve.