Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut - Foto: REL/LSDM

Presidenti maqedonas mban fjalimin e fundivitit në Parlament

Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski e mbajti të mërkuren fjalimin e fundvitit para deputetëve të parlamentit, ku foli për një sërë çështjesh me të cilat po përballet vendi tij, me një theks të veçantë mbi pandeminë e koronavirusit dhe përpjekjet për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Presidenti Pendarovski e hapi fjalimin me falënderime për mjekët dhe personelin mjeksor në vijën e parë të frontit të luftës kundër pandemisë së koronavirusit. Një pjesë të madhe të fjalimit ia kushtoi çështjes së COVID-19, ndërsa u shpreh lidhur me teoritë e konspiracionit kundër vaksinave se “gjysmënalafabetë dhe sharlatanë nuk mund të na e menaxhojnë krizën me pandeminë”.

Ai u ndal tek sfidat që kaloi vendi, siç ishte anëtarësimi në NATO në pranverë të këtij viti, përpjekjet për përparimin drejt Bashkimit Evropian dhe problemet që në këtë rrugë i nxori Bullgaria fqinje.

Duke u ndalur tek qasja e përfaqësuesve politikë shqiptarë në vend ndaj çështjes së identitetit maqedonas, Pendarovski tha se tek një pjesë e maqedonasve etnik, për fat të keq prej vitesh ekziston dyshimi nëse politikanët shqiptarë e mbështesin luftën e maqedonasve për afirmim më të gjerë ndërkombëtar.

“E konfirmoj me përgjegjësi, sepse jam në këto rrjedha më tepër se njëzet vjet, se faktori politik shqiptar edhe kur ka qenë në pushtet edhe në opozitë, gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur një sjellje dhe mirëkuptim tepër korrekt ndaj përpjekjeve tona për ta ruajtur dhe ngritur identitetin maqedonas. Ky qëndrim, tha presidenti, na ndihmonte të jemi më të fuqishëm në takimet me të gjithë emisarët e huaj sepse e dinim se pa vetes kishim një qëndrim të bashkuar shtetëror. Ndryshe dhe nuk mund të jetë sepse Maqedonia e Veriut është shtëpi e përbashkët për të gjithë ne dhe këtu nuk ka ndarje në qiraxhinj dhe padronë”, u shpreh ai.

Zoti Pendsarovski foli me tone kritike për qëndrimet e heshtura të Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi nevojën për vazhdimin e reformave dhe të rrugës së vendit të tij drejt këtij unioni. Presidenti maqedonas tha se BE-ja ende paraqet një instrument të pazëvendësueshëm për demokratizim.

Ai foli edhe për nevojën e një angazhimi më të madh në çrrënjosjen e korrupsionit, për modernizimin e shëndetësisë e bujqësisë, për reforma në arsim.

Deputetët opozitarë të VMRO-DPMNE-së e bojkotuan fjalimin. Në të vërëtetë, me daljen në foltore të presidentit Pendarovski ata u radhitën të kthyer me shpinë para tij dhe me parulla në duar ku shkruhej se “po shitet identiteti maqedonas”, “Stevo nuk është presidenti im”, dhe të tjera./VOA