Foto: Zoran Zaev/Facebook

Presidenti dhe kryeministri maqedonas ua urojnë në shqip shqiptarëve Ditën e Alfabetit

Më 22 nëntor 1908, në Kongresin e Manastirit, është bërë unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Në përvjetorin e 112-të, liderët e Maqedonisë së Veriut, presidenti Stevo Pendarovski dhe kryeministri Zoran Zaev kanë uruar Ditën e Alfabetit në gjuhën shqipe.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka thënë se gjuha dhe kultura janë themele të çdo populli dhe mohimi i tyre do të thotë përpjekje për të shkatërruar origjinën kombëtare.
“Në shekullin 21 përpjekjeve të tilla nuk u duhet hapur dera, në mënyrë që kurrë të mos triumfojnë mbi vlerat e vërteta. Të gjithë bashkëqytetarëve të mi shqiptarë ju uroj Ditën e Alfabetit”, ka shkruar Pendarovski në gjuhën shqipe në profilin e tij në Facebook.
Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në fund të një urimi në gjuhën maqedonase, ka shkruar në gjuhën shqipe edhe urimin për përvjetorin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe.
“Gëzuar Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe”, ka uruar Zaev në profilin e tij në Facebook.

Kongresi i Manastirit u zhvillua nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete, klube dhe shoqata të ndryshme.