Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia: Raportohen gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve

Në raportin e fundit të Policisë së Kosovës është njoftuar për gjashtë raste të dhunës në familje.

Rastet janë shënuar në Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Prishtinë dhe Podujevë.

Të dyshuarit janë burra dhe këta të fundit janë arrestuar, ndërsa tre prej tyre janë liruar më procedurë të rregullt, tregojnë të dhënat e raportit policor.

Në Gjilan më 29.05.2024 është arrestuar një i dyshuar pasi që i njëjti dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndajë viktimës grua.

Sipas policisë, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. I njëjti person më 30.05.2024 ka përsëritur veprën dhe është dërguar në mbajtje me vendimi të prokurorit, thekson Policia.

Ndërsa në Lipjan janë raportuar dy raste të dhunës në familje.

Rasti i parë është raportuar me 30.05.2024 në orën 12:00, në të cilin rast, sipas PK-së, i dyshuari ka sulmuar fizikisht një viktimë grua dhe më pas më vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti tjetër është raportuar për dhunë psiqike ndaj viktimës grua dhe është liruar në procedurë të rregullt pas vendimit të prokurorit – thuhet në raport.

Ndërkaq, në Fushë Kosovë është arrestuar një tjetër person i dyshuar për dhunë fizike ndaj dy viktimave gra. Viktimat pas intervistimit janë dërguar ne banesën e tyre, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër i raportuar është në Prishtinë. I dyshuari është arrestuar pasi kishte ushtruar dhune psiqike dhe kishte tentuar ta godasë një viktimë grua.

I dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Edhe në Podujevë me 30.05.2024 është raportuar një rast për dhunë në familje, një grua është sulmuar fizikisht  si pasoj e një mosmarrëveshje e cila  më pas është detyruar të marrë tretman mjekësor.

Ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje pas intervistimit më vendim të prokurorit.