Policia: Në sulmin në zyrat e KQZ-së në Mitrovicën e Veriut u përdorën granata dore të prodhimit jugosllav

Policia e Kosovës ka njoftuar për gjendjen në veri pas shpërthimeve, duke thënë se situata e sigurisë në Kosovë, përfshirë edhe komunat në veri të vendit, është stabile.

Sipas Policisë, në dëmtimin e zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut janë përdorur edhe granata dore të prodhimit jugosllav.

“Dëmtimet e zyrave të KQZ-së, janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”- ka njoftuar Policia.

Në njoftim thuhet se Policia dhe KFOR-i janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa po punohet në identifikimin e të dyshuarve.

“Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë”- thuhet në njoftim.

Sipas Policisë të gjitha veprimet policore janë kryer në pajtim me ligjin.

Policia ka thënë se raportimet e përfaqësuesve të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë janë të pavërteta dhe tendencioze të cilët kanë për qëllim dëmtimin dhe atakimin e profesionalizimit dhe legjitimitetit të Policisë së Kosovës.

“Grupet kriminale duke kryer veprime të kundërligjshme përmes të cilave cenojnë lirinë dhe sigurinë e qytetarëve tentojnë t’ia atribuojnë këto veprime njësive të rregullta të PK-së të cilat janë duke kryer detyrat e tyre me shumë përgjegjësi”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Në veri të vendit sot janë dëgjuar sirena dhe shpërthime disa herë gjatë ditës.

Policia ka njoftuar se situata është sabile dhe ka ftuar qytetarët të mos të bien pre e dezinformimit dhe deklarimeve tendencioze e të pavërteta.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

“Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore”- thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar alarmi në pjesën veriore të Kosovës.