Policia: Në QKUK gjetëm materiale shkollore

Një mjet shpërthyes u dyshua se ndodhej sot në Klinikën e Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në vendngjarje dolën edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, mirëpo sipas njoftimit të fundit zyrtar të Policisë së Kosovës, aty u gjetën materiale shkollore.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci në një përgjigje për KALLXO.com tha se rreth orës 16:15, ekipet e specializuara të PK-së për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë përfunduar me pastrimin e vendngjarjes nga mjetet e dyshuara.

“Të njëjtat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe nuk paraqesin rrezik pasi që janë materiale shkollore” – ka thënë Borovci.

Policia e Kosovës rreth orës 14:00 kishte evakuuar personelin përreth dhe ka siguruar perimetrin e nevojshëm.

Nga aty ekipi i Trajtimit të Mjeteve Shpërthyese u largua pas orës 16:00 me një kuti që morën me vete.

Pas përfundimit të veprimeve hetimiore policore, ShSKUK doli me një reagim dhe deklaroi se në objektin e Instituteve Paraklinike “mjetet [e gjetura] dyshohet të jenë nga koha e paraluftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve”.