Policia konfiskon 31 kg drogë, ka të arrestuar - FOTO

Gjatë ditës së djeshme Antidroga e Policisë së Kosovës ka realizuar një operacion ku ka arrestuar dy persona të dyshuar dhe janë konfiskuar 31 kilogramë substancë e llojit marihuanë.

Policia përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se operacioni policor është zhvilluar në Komoran të Drenasit, pas pranimit të informacioneve dhe hetimeve të zhvilluara nga njësia rajonale e Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotik në Prishtinë, në konsultim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Tutje nga Policia potencohet se, në këtë operacion është konfiskuar vetura Passat me targa vendore pronë e të dyshuarit mashkull kosovar, në të cilën janë gjetur dhe konfiskuar dy thasë të mbushur me 31 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Po ashtu është konfiskuar edhe vetura (me targa të Shqipërisë) e personit të dyshuar mashkull shtetas i Shqipërisë, dy telefona celularë dhe para: 1,050 euro dhe 13,500 lekë.

Policia thekson se me urdhër të prokurorisë është realizuar edhe një bastisje në lokacionin e të dyshuarit mashkull kosovar të sipër cekur në rast dhe është sekuestruar edhe një veturë tjetër ( e tretë) në të cilën janë gjetur mbetje të vogla të substancave narkotike.

Personat e arrestuar nga Policia e Kosovës me vendim të Prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme.