Policia jep detaje për aksidentin ku vdiq këshilltari i Vesel Krasniqit

Albert Krasniqi, një aktivist i Nismës Socialdemokrate, i cili,  sot do të duhej t’ia niste punës si këshilltar i Ministrit të Tregtisë vdiq mbrëmë në një aksident në afërsi të fshatit Tërpezë të Malishevës.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjakovës, Nysret Xhurkaj aksidenti ka ndodhur para mesnatës dhe ka ndodhur për shkak të shpejtësisë.

“Aksidenti ka ndodhur para mesnatës, ka qenë vetaksident, vetura ka goditur një shtyllë elektrike të betonit. Aksidenti ka ndodhur për shkak të mospërshtatjes së kushteve të rrugës me shpejtësinë”, ka thënë Xhurkaj.

Tutje Xhurkaj ka sqaruar se në veturën e aksidentuar kanë qenë tre persona, njëri nga ta ka pësuar me fatalitet, një është duke u trajtuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Ndërsa shoferi i veturës është ndaluar në Stacionin Policor pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

Vdes në aksident këshilltari i ministrit Krasniqi