Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Policia hap rast ndaj 2 personave në Vushtrri që organizuan muzikë me shairë

Policia e Kosovës në Vushtrri ka hapur rast penal ndaj dy qytetarëve për mosrespektim të rregullave shëndetësore në kohë pandemie.

Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar që Policia e Kosovës ka iniciuar rast penal ndaj dy qytetarëve të fshatit Druar që kishin organizuar muzikë me shairë.

“Grumbullimet në ndeja të tilla janë tepër të rrezikshme për përhapjen e coronavirus prandaj ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve të refuzojnë të shkojnë në të tilla ndeja, sepse përveç që rrezikojnë shëndetin e tyre, të afërmve të tyre, do të ballafaqohen me forcën e ligjit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se gjatë ditës së sotme 79 persona kanë dalë pozitiv me coronavirus duke e çuar numrin e përgjithshëm në 362.

Sipas IKShP-së, dy nga personat që kanë dalë pozitiv janë nga komuna e Vushtrrisë, një me vendbanim në Vushtrri e tjetri në Pestovë.

Prej 79 personave që kanë rezultuar pozitiv, numri më i madh është nga Ferizaj, gjithsej 35 kurse 16 janë nga Prizreni.

Sot është marrë vendim që Prizreni të shpallet zonë karantinë.

Dje është shpallur zonë karantinë edhe Prishina, Suhareka dhe Ferizaj.

Nga nesër komunat në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të marrin vendime në lidhje me masat kufizuese në komunat respektive, pasi sot skadon afati i vendimit të qeverisë për kufizimin e qarkullimit të lëvizjes së qytetarëve, pasi i njëjti është shpallur jo-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.