Policia e Prokuroria ndërmorën masa hetime për publikimet e rreme për shëndetin e Isa Mustafës

Policia e Kosovës ka thënë se në bashkëpunim me Prokurorinë e shtetin kanë ndërmarrë masat e nevojshme hetimore për videot me përmbajtje të rreme për shëndetin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se Policia e Kosovës në këtë rast Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike në koordinim me Prokurorinë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për trajtimin e rastit”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Videoja e montuar gjoja për vdekjen e Mustafës është publikuar pasi që ai konfirmoi se është infektuar me virusin COVID-19.

KALLXO.com ka raportuar më 14 korrik se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Kompaninë që ofron shërbimet e internetit kanë filluar hetimin për një video të rrema për gjoja vdekjen e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

“Ju informojmë se Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike është duke e trajtuar rastin në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Kompaninë që ofron shërbimet e internetit. Varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren edhe masat e nevojshme në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gentiana Azemi ka bërë të ditur se rasti videos se rrema është paraqitur në polici nga ana e partisë.

“Sekretari z. Abrashi e ka paraqitur rastin në fjalë në Polici, saktësisht Departamenti për Krime Kibernetike dhe ata janë duke u marrë me këtë çështje. Po ashtu ne konsiderojmë që këto janë veprime të ulta dhe LDK-ja e dënon ashpër këtë fushatë e cila po zhvillohet nëpër rrjetet sociale me qëllim të denigrimit të personave kryesor në LDK, në këtë rast ndaj kryetarit Mustafa”, ka thënë Azemi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa më 10 qershor përmes Facebook-ut kishte njoftuar se është infektuar me virusin COVID-19.

“Sot, pas analizave të kryera, kam rezultuar pozitiv me Covid-19.Përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur”, kishte shkruar Mustafa.

Ndërsa, në videon e rreme të publikuar të dielën thuhet se Isa Mustafa ka vdekur, me përshkimin, “Orët e fundit te Isë Mustafës (ngushllime Familjes)”. Në këtë video janë kombinuar edhe deklaratat e zyrtarëve të LDK-së të dhënë për Ibrahim Rugoven, por tashmë janë përdorë sikur me qenë fjalë për kryetarin Mustafa.

Policia heton videon me përmbajtje të rreme për shëndetin e Isa Mustafës