Lajmet e rreme - Foto: REL/Shutterstock

Policia heton videon me përmbajtje të rreme për shëndetin e Isa Mustafës

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Kompaninë që ofron shërbimet e internetit kanë filluar hetimin për një video të rrema për gjoja vdekjen e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

“Ju informojmë se Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike është duke e trajtuar rastin në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Kompaninë që ofron shërbimet e internetit. Varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren edhe masat e nevojshme në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gentiana Azemi ka bërë të ditur se rasti videos se rrema është paraqitur në polici nga ana e partisë.

“Sekretari z. Abrashi e ka paraqitur rastin në fjalë në Polici, saktësisht Departamenti për Krime Kibernetike dhe ata janë duke u marrë me këtë çështje. Po ashtu ne konsiderojmë që këto janë veprime të ulta dhe LDK-ja e dënon ashpër këtë fushatë e cila po zhvillohet nëpër rrjetet sociale me qëllim të denigrimit të personave kryesor në LDK, në këtë rast ndaj kryetarit Mustafa”, ka thënë Azemi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa më 10 qershor përmes facebook-ut kishte njoftura se është infektuar me virusin COVID-19.

“Sot, pas analizave të kryera, kam rezultuar pozitiv me Covid-19.Përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur”, kishte shkruar Mustafa.

Ndërsa, në videon e rreme të publikuar të dielën thuhet se Isa Mustafa ka vdekur, me përshkimin, “Orët e fundit te Isë Mustafës (ngushllime Familjes)”. Në këtë video janë kombinuar edhe deklaratat e zyrtarëve të LDK-së të dhënë për Ibrahim Rugoven, por tashmë janë përdorë sikur me qenë fjalë për kryetarin Mustafa.

Video më përmbajtje të rreme tashmë ka marrë 60 mijë shikime në Facebook.

Gjatë kohës së pandemisë, KALLXO.com ka raportuar për shumë lajme të rreme që janë shpërndarë nga portalet apo përmes rrjeteve sociale. Nga mënyra e shërimit të personave të infektuar me COVID-19 e deri tek lajmi i rrejshëm për dezinfektim përmes helikopterit.