Policia e pa aftë ta ndjekë sulmuesen e infermieres

Ishte ditë e zakonshme pune për infermieren Suzana Çejku që kujdeset për fëmijët pacientë në spitalin “Daut Mustafa”, në Prizren.

Më 17 gusht, Çejku ishte përballur me sulm verbal e fizik nga familja e një djali të vogël që po trajtohej në këtë spital.

Ajo për KALLXO.com thotë se sulmi erdhi pasi nëna e pacientit kishte insistuar që fëmija të lirohet nga spitali me kanillë në dorë.

Ajo thotë që në sulm u përfshinë edhe tezet e fëmijës që po trajtohej

“Pa një pa dy nëna e fëmijës u afru tek unë që isha në korridor dhe me tha që t’ia heq infuzionin edhe unë jam ulë, dhe normal si të gjithë fëmijëve pa ia hekë leukoplastin që e vendosim kanillën, momentin e fundit nana po me thotë të lutna mos e hekë kanillën, i thash nuk mundem se nuk e kemi të lejuar me i lëshu në shtëpi me kanilla. Veç di me ta përshkru që i kam pas përmbi, dy tezet më kanë kap, tash unë qysh e kam pas dorën e fëmijës, nëna e ka ngre fëmijën dhe gjaku filloi t’i rrjedh fëmijës edhe unë me pambukun në dorë po i them oj nanë po pik gjaku, ajo me gjithë fëmijë më është vërsulë me dy motrat anash, unë nuk kisha çfarë të bëjë, në atë moment është afruar kolegia dhe sigurimi dhe më dolën përpara dhe unë vetëm jam mbështet për muri se nuk kisha nga të lëviz”, rrëfen infermierja.

Infermierja thotë se nëna e fëmijës nuk është mjaftuar vetëm me sulmin që ia ka bërë në korridor.

“E di veç që telefonin e kam marrë me thirre policinë, ata nuk u kënaqën aty me gjithë ato që më sulmuan, prap erdhën në dhomë, në ndërkohë që ka qenë edhe një civil në korridor që e ka pa rastin krejt, veç ka ardhë e ka ngreh për krah atë dhe i ka thënë që mos gaboj të më flas kurrgjë se s’ka të drejtë. Nëna e fëmijës më tha me ty kam hala, e sheh nesër”, rrëfen tutje ajo.

Pas thirrjes së Çejkut erdhën policia por nuk gjetën aty të dyshuarat.

“Policia njëmend shpejt kanë ardhur mirëpo këta menjëherë dolën nuk ndejtën, pastaj i morën të dhënat, sepse tek ne çdo fëmijë që pranohet na të dhënat me numër të telefonit me krejt i marrim, mandej policia i morën edhe të dhënat e familjes, i shënuan krejt.

KALLXO.com ka kontaktuar Drejtorinë Rajonale të  Policisë ne Prizren për të marrë informacione për rastin në fjalë.

Shaban Osmanollaj, zyrtar për informim ka thënë se e dyshuara në këtë rast ka ikur në Gjermani.

“Aktualisht ne kemi një person të dyshuar me iniciale D.G e cila është në kërkim nga Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren. Hetimet janë duke vazhduar pasi dyshohet se e dyshimta nga momenti i kryerjes së veprës penale, siç thuhet në raportin e hetuesit ajo ka ikur në Gjermani, dhe sipas deklaratës se prindit të saj i cili është intervistuar ajo është me banim dhe punë të përkohshme në Gjermani. Policia në Prizren, Njësiti i Hetimeve e ka njoftuar prokurorin dhe në vazhdimësi e ka kërkuar të dyshimtën në shtëpinë e saj dhe të prindërve të saj por deri me tani nuk ka arritur ta intervistojë”, thuhet në përgjigjet e policisë.