(VIDEO) Infermierja ankohet për transfer nga QKMF në QMF, drejtoresha arsyetohet se janë ankuar pacientët për të

Infermierja Leonora Mekuli para nëntë muajve është transferuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Pejë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Logjë të kësaj komune.

Mekuli në një intervistë të dhënë për KALLXO.com ka treguar se si erdhi deri tek vendimi për transformim nga QKMF-ja në QMF.

“Ka ardhë pacienti me marrë një injeksion, unë i them urdhëro, burri vet thotë mësom ti mua, si me jep një injekson se nuk po ia jep askush te ambullanta. Unë nuk e dija ku është qëllimi. Kur e marrë recetën e doktorit aty shkruan se duhet dy herë në ditë me marrë injeksionin dhe unë i them prit pak deri sa të bëhet koha, që mos me te ra me marrë injeksionin në mëngjes me u zgju herët ose vendos a don me marrë në këtë orë, që me të ra edhe në mëngjes në orën e njëjtë që përcaktohet, për me marrë injeksionin. Thotë ‘jo unë jam me COVID’ dhe unë i them po këtu nuk merret për COVID. Është aneksi që merret me COVID dhe unë çohem me i la duart, nuk e kam njoftë vetën se çka kam fol nga fjalët e papërgjegjshme të pacientit, vetëm pse i kam pastru duart”, rrëfen ajo.

Infermierja thotë se pas këtij komunikimi verbal pacientja është ankuar tek drejtoresha e QKMF-së, Myrvete Salihi.

“Pacientja ka shku tek drejtoresha është anku e ka shkru një vrejtje që asaj nuk i kam pëlqy ose si kam konvenu, për pacienten, dhe drejtoresha e merr vendimin që unë duhet të transformohem në Logjë”, rrëfen tutje infermierja.

Si rrjedhojë e ankesës, Mekuli thotë se është transferuar në QMF në fshatin Logjë, e për të cilën ajo thotë se nuk i përshtatet të udhëtoj çdo ditë. Ajo thotë se ka bërë kërkesë që të rikthehet prapë në QKMF, mirëpo ajo thekson se kërkesa e saj nuk është marrë parasysh nga drejtoresha e kësaj qendre.

“Ankesën time drejtoresha nuk e ka përfillë. Është dashtë drejtoresha me më pyet çka ka ndodh, por as që është marrë me atë punë. Edhe pse nuk i kam koleget e mia aty kam pas pacientë – dëshmitarë që asnjë fjalë nga ana ime nuk i është thënë pacientit. Nuk mund t’i komentojë ato fjalë, nuk mendoj që duhet të sillet dikush në atë mënyrë”, thotë Mekuli.

Përveç drejtoreshës infermierja ka dërguar kërkesë për rikthim në vendin e saj të punës edhe tek kryetari i komunës, Gazmend Muhaxhiri, por thotë se as ai nuk e ka marrë parasysh kërkesën e saj.

Duke mos dhënë detaje, infermierja thotë se transferi i saj nuk ka të bëjë vetëm me ankesën e pacientit por, sipas saj, drejtoresha mund të ketë diçka personale.

“Nuk mendoj se është me pacientë. Drejtoresha ka punu doktoreshë edhe mua më njeh shumë mirë, mendoj që është diçka personale apo partiake”, thotë ajo.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka telefonuar drejtoreshën e kësaj qendre, Myrvete Salihin, e cila thotë se ka pranuar ankesa edhe nga pacientët tjerë për infermierën, andaj ka vendosur t`ia ndërroj vendin e saj të punës në QMF, pasi që sipas saj aty ka më pak pacientë.

“Ajo ka pasë disa lëndë – ankesa të pacientëve. Ajo nuk është ndëshku kurgjo, ajo është transferu nga QKMF në QMF është largu nga fluksi i lartë i pacientëve pasi që e ka një natyrë që pas çdo dy apo tre pacientë, ndeshet me fyerje. Kam pasë shumë ankesa nga pacientët. Unë kam punu edhe si doktoreshë me të, kam pas raport shumë të mirë, pasi që e kam mbajtë një qetësi me të”, sqaron Salihi.