Policia e Kosovës, kamera Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës në trafik me kamera të vendosura në trup - VIDEO

Policia e Kosovës në trafikun rrugor ka nisur përdorimin e kamerave që vendosen në trup.

KALLXO.com sjell pamjet e zyrtarëve policorë të Njësitit të Trafikut për Regjionin e Prishtinës, nga testimi i kamerave të trupit.

Këto pajisje i janë dhënë Policisë së Kosovës donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtari policor i Njësitit të Trafikut, Ajet Ajeti, thotë se rëndësia e këtyre kamerave të trupit, është duke ndikuar në punën e zyrtarëve policorë dhe të vetë qytetarëve.

“Kamera shërben për siguri personale, mirëpo njëkohësisht edhe e rritë besueshmërinë tek qytetarët e vendit, po ashtu edhe e prezanton punën dhe argumentin e zyrtarit policor në terren”.

Këto kamera të vendosura në trupin e zyrtarit policor, duhet të aplikohen për tetë orë punë.

“Çdo zyrtar policor e ka barkodin e tij në lidhje me kamerën, çdo fillim të ndërrimit përmes barkodit e kyç pajisjen. Në fund të ndërrimit, kur përfundon ndërrimi, atëherë kur kthehemi në stacion, përmes barkodit edhe e shkyç”

Sipas Ajetit, puna me këto kamera është me siguri më të madhe duke shërbyer në vend të aksidentit të trafikut, në zbulimin dhe shqiptimin e kundërvajtjeve.

Siç tregon ai, kjo ka pasur ndikim pozitiv tek qytetarët prej tash e dy ditëve kur ka filluar puna dhe aplikimi i kamerave të trupit nga policia.

Faza testuese e përdorimit të kamerave të trupit ka filluar më 7 korrik.