Foto: Reuters

Policia dhe FBI-ja vazhdojnë hetimet për shpërthimin në Nashville

Në qytetin amerikan Nashville, policia dhe agjentët federalë po kërkojnë nëpër rrënojat e zonës ku ditën e Krishtlindjeve ndodhi një shpërthim, për të gjetur arsyet se si dhe përse shpërtheu një rulot që ndodhej aty, duke shkaktuar lëndimin e tre njerëzve.

Shpërthimi, i cili ndodhi në zemër të kryeqytetit muzikor të Amerikës dhe që u dëgjua shumë kilometra larg, shkatërroi disa automjete dhe dëmtoi më shumë se 40 biznese.

Ruloti i parkuar në një rrugë në qendër të qytetit më të madh të shtetit Tenesi, shpërtheu në të gdhirën e së premtes pak çaste pasi policia, e cila po shkonte aty në përgjigje të raportimeve për të shtëna me armë, e vuri re automjetin dhe dëgjoi një mesazh të inçizuar që paralajmëronte për bombë.

Ende nuk është e qartë se çfarë mjetesh shpërthimi u përdorën apo nëse dikush ishte brenda automjetit kur ai shpërtheu, por hetuesit po analizojnë ato që besohet se mund të jenë mbetje njerëzore të gjetura në afërsi të vendit të ngjarjes, tha policia.

Policia nuk dha asnjë motiv të mundshëm apo se kush mund të ishte përgjegjës për ngjarjen, ndërkohë që zyrtarët e Departamentit të Policisë Metropolitane të qytetit Nashville e quajtën shpërthimin një “veprim të qëllimshëm” dhe premtuan se do të gjenin zanafillën e tij.

Dhjetëra agjentë nga FBI-ja dhe Byroja Amerikane e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve vazhdojnë të ruajnë zonën e ngjarjes, brenda së cilës makinat e parkuara dhe pemët ishin nxirë dhe një tub uji i shpërthyer i kishte mbuluar pemët me një shtresë akulli gjatë natës.

Gjithsej u dëmtuan 41 biznese, tha Kryetari i Bashkisë John Cooper.

Guvernatori i shtetit Tenesi, Bill Lee tha në Twitter se ai vizitoi zonën e ngjarjes të shtunën dhe se ishte një “mrekulli” që askush nuk humbi jetën. Në një letër drejtuar Presidentit Donald Trump, Lee kërkoi një deklaratë nga qeveria federale për ndihmë emergjente për shtetin e tij.

Një regjistrim, pastaj një shpërthim

Incidenti i së premtes kishte një natyrë misterioze, siç përshkruhet edhe nga dëshmitarët. Në fillim u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, pastaj një regjistrim i zërit të një gruaje me një paralajmërim rrënqethës që vinte nga automjeti para se të shpërthente.

“Zona duhet të evakuohet tani. Zona duhet të evakuohet tani. Nëse dëgjoni këtë mesazh, largohuni nga zona. Nëse dëgjoni këtë mesazh, largohuni nga zona,” thoshte mesazhi i cili u dëgjua për disa minuta para shpërthimit.

Policia u përpoq të evakuonte shtëpitë dhe ndërtesat aty pranë dhe thirri një skuadër për çaktivizimin e bombave, e cila ishte ende rrugës për në vendin e ngjarjes kur ruloti shpërtheu fare pranë një ndërtese të zyrës së kompanisë së telekomunikacionit AT&T ku ishte parkuar.

Policia më vonë postoi një foto të rulotit, që sipas saj kishte mbërritur në zonë rreth katër orë para shpërthimit.

Zyrtarët e zjarrfikësve thanë se tre persona u shtruan në spital me dëmtime relativisht të vogla dhe ishin në gjendje të qëndrueshme. Sipas autoriteteve, veprimet e shpejta të policisë për të pastruar zonën nga kalimtarët para shpërthimit mund të kenë shpëtuar jetë njerëzish./VOA