Policia bën thirrje për kujdes gjatë vozitjes pas reshjeve të borës

Pas reshjeve të mëdha të borës gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë vozitjes në rrugë të mbuluar me borë dhe me ngrica.

Policia ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përshtasin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugëve.

“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve, për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se të gjitha rrugët që janë nën kompetencën e saj, janë të hapura për qarkullim.

Java e parë e stinës së pranverës do të jetë me borë dhe temperatura të ulëta. Kështu ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sipas IHK-së, bora e cila po bie do të vazhdojë edhe në pjesën e parë të javës së ardhshme por intensiteti do të dobësohet nga e marta.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka theksuar se temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme do të lëvizin ndërmjet -4 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-11 gradë Celsius si dhe do të fryjë erë nga veriperëndimi dhe jugperëndimi me shpejtësi 1-9m/s.

“Sa i përket situatës biometeorologjike ajo mbetet e pafavorshme për personat me sëmundje kronike, ndërsa cilësia e ajrit paraqitet relativisht e mirë për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm të këtyre elementeve meteorologjike”, thuhet në njoftimin e tyre.