
Ilustrim - Foto: KALLXO.com
Policia arreston në flagrancë tre të dyshuar për vjedhje në Ferizaj
Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë në flagrancë tre persona, një nga ta i mitur, të dyshuar për vjedhje në Dremjak të Ferizajt, më 31.03.2025, rreth orës 22:00.
Të njëjtit bashkë edhe me dy persona të tjerë të mitur dyshohen për vjedhje, edhe në dy shtëpi të tjera në Ferizaj.
Organet e rendit kanë dhënë detaje se nga njëra shtëpi dyshohet se janë vjedhur rreth 10,000 euro para të gatshme, ndërsa në një shtëpi tjetër janë vjedhur 40 litra derivate nafte nga një ekskavator.
Policia ka sekuestruar një veturë, një thikë, dy kapela në formë maskash, tre bidonë të mbushur me naftë, katër telefona celularë dhe mbi 1,000 euro para të gatshme.
Gjatë intervistimit dy të dyshuarit madhor, në prani të avokatëve kanë pranuar se kanë kryer vjedhje të derivateve të naftës, si dhe potencojnë se gjatë muajit mars kanë kryer edhe vjedhje të tjera në fshatrat: Kosinë, Mirosalë dhe Mirashë të Ferizajit.
Sipas Policisë, këto vjedhje dyshohet se janë realizuar kryesisht në orët e mbrëmjes – duke përdorur një automjet të tipit Audi, ngjyrë e bardhë, në pronësi të dyshuarit 24-vjeçar.
Ndërsa, i mituri i arrestuar është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit.
Me Vendim të Prokurorit të Shtetit, tre të arrestuarit janë ndaluar në mbajtje, ndërkaq hetimet janë duke vazhduar për arrestimin edhe të dy të dyshuarve të tjerë.