Ilustrim

Po ‘vlon’ paraja false

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar katër ankesa të falsifikimit të parasë, dy në Gjilan, një në Vushtrri dhe një në Prishtinë.

Në dy rastet në Gjilan, dyshohet se janë falsifikuar nga 100 euro.

Njëri nga rastet është raportuar më 13 gusht të këtij viti, për të cilin një person ka informuar Policinë se gjatë numërimit të një shume parash, ka hasur në një kartëmonedhe prej 100 eurove që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Rast i ngjashëm po në Gjilan ishte raportuar më 6 shtator të këtij viti. Policia raporton se të dyja rastet vazhdojnë të hetohen.

Ankesën tjetër në Vushtrri për dyshim të qarkullimit të parave false, Policia e ka pranuar më 9 shtator. Ankuesja ka raportuar për 50 euro për të cilat dyshonte se janë të falsifikuara.

Kartëmonedhën e dyshuar, e njëjta e kishte vërejtur kur një person kishte deponuar në bankomant.

Policia ka njoftuar se nga ankuesja e ka sekuestruar kartëmonedhën për procedura tjera hetimore.

Edhe në Prishtinë, Policia ka pranuar një ankesë për falsifikim parash.

Një grua është ankuar se përderisa ka dashur ta bëjë një pagesë, është njoftuar nga arkëtarja se kartëmonedha prej 20 eurove dyshohet të jetë e falsifikuar.

Sipas Policisë, kartëmonedha është sekuestruar për procedura të mëtutjeshme hetimore. Ndërsa për rastin, është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.