Foto: NPL 'Sport Marketing'

Pishina e Gërmisë pritet të hapet më 12 qershor

Hapja e Pishinës së Gërmisë planifikohet të bëhet më 12 qershor.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, kryeshefi i ndërmarrjes ‘Sport Marketing’, Liridon Llapashtica.

Ai potencoi se pishina tradicionalisht hap dyert më 12 qershor, që simbolizon edhe Ditën e Çlirimit të Prishtinës.

“Si çdo sezonë verore NPL Sport Marketing që menaxhon me pishinën e Gërmisë ka filluar të zbatojë planin rreth përgatitjeve për sezonin veror 2022. Tradicionalisht pishina ka hapur dyert për qytetarët e Prishtinës më datë 12 qershor – simbolikisht që shënohet çlirimi i kryeqytetit”, ka thënë Llapashtica.

Sipas tij, faktor determinues në hapje të pishinës për këtë datë do të jenë edhe kushtet atmosferike.

“Këtë e determinon zakonisht edhe moti, pra nëse temperaturat janë në favor për hapje, planifikojmë me datë 12, nëse jo, atëherë duhet të presim deri të mbërrijnë ato të përshtatshme”, shtoi Llapashtica.

Ndërmarrja komunale ‘Sport Marketing’ të hyrat e saj i siguron kryesisht nga fitimi prej pishinës së Gërmisë gjatë sezonit veror.