Petar Petkoviq viziton laboratorin për COVID-19 në Mitrovicë të Veriut të ngritur nga qeveria e Serbisë

Drejtori i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, gjatë vizitës së parë zyrtare në Kosovë, vizitoi Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Republikës së Serbisë.

Në kuadër të kësaj qendre së voni është hapur edhe laboratori për testimet për koronavirus, me metodën e njohur si PCR.

“Falë presidentit [të Serbisë], Aleksandar Vuçiq, kryeministres Ana Bërnabiq, e cila është angazhuar veçanërisht, dhe Zyrës për Kosovën, kemi qenë në gjendje ta ndërtojmë këtë laborator shumë të rëndësishëm, i cili është ndër më të mirët këtu, me pajisjet më moderne”, tha Petkoviq.

Drejtori i Qendrës Klinike në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek, tha se situata epidemiologjike është e ndërlikuar dhe shqetësuese, porse laboratori për testet PCR është i rëndësishëm.

“Ne nuk duhet të dërgojmë më mostra në Serbinë qendrore dhe të presim për verifikimin e tyre për së paku 24 orë”, tha Ellek.

Ai shtoi se të gjithë të testuarit i marrin rezultatet në të njëjtën ditë dhe se kjo e zvogëlon përhapjen e infeksionit me koronavirus.

Ellek konfirmoi se rreth 100 punëtorë të Qendrës Klinike në Mitrovicën e Veriut janë infektuar me koronavirus, përfshirë personel mjekësor dhe punëtorë jomjekësorë.

Që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, mjediset në Kosovë që janë nën sistemin shëndetësor të Serbisë, kanë testuar për koronavirus 9,704 persona, nga të cilët 2,716 kanë dalë pozitivë.

Vetëm në 24 orët e fundit, nga 39 mostra të përpunuara, pozitive kanë dalë 15 – prej tyre 13 në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan dhe nga një në Shtërpcë dhe Gorazdevc. /REL