Përurohet Fabrika e Ujit
Për ndërtimin e kësaj fabrike janë investuar 35 milionë euro. Këto mjete janë siguruar nga Qeveria Gjermane dhe Komisioni Europian përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW), Qeveria e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Kompania Ujësjellësi Rajonal ”Prishtina”-SH.A.
Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal, Ilir Abdullahu, tha se përveç komunave që do të furnizohen drejtpërdrejt nga kjo fabrikë, ajo indirekt do të ndikojë që furnizimi me ujë të përmirësohet edhe për komunat tjera.
“Me lëshimin e punës me kapacitet të plotë të këtij impianti do të arrihet një furnizim i qëndrueshëm me ujë për banorët e Prishtinës, Fushë-Kosovës, Obiliqit dhe indirekt do të përfitojnë Komuna e Podujevës dhe ajo e Graçanicës, por do të përfitojnë gjithashtu edhe komunat, të cilat ne i menaxhojmë, Drenasi, Lipjani dhe Shtimja”, tha Abdullahu.
Kryeministri Isa Mustafa e ka përmendur faktin që projekti është iniciuar në kohën kur ai ka qenë kryetar i Prishtinës.
“Unë veçmas jam i kënaqur, sepse edhe mua më ka rënë hise para pesë viteve kur e kemi përgatitur dokumentacionin për këtë investim që të nënshkruajmë, që të përcaktojmë strukturën e financimit”, tha Mustafa.
Ai e ka përgëzuar Komunën e Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti por edhe donatorët tjerë për përmbushjen e të gjitha obligimeve.
“Është kënaqësi e madhe që ne po zgjidhim problemet më të rënda të qytetarëve, problemin e ujit, problemin e energjisë, atë të ngrohjes, që nuk e kanë rënduar vetëm Prishtinën si komunën më të madhe të Kosovës dhe kryeqendrën e Kosovës, por kanë ngarkuar edhe komunat e tjera”, tha kryeministri.
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, tha se njerëzit e komunave që do të kenë ujë të pijshëm 24 orë në ditë do t’u përmirësohet dukshëm jetesa dhe do të mbrohen burimet natyrore të vendit.
Ajo tregoi që Komuna e Prishtinës ka përfituar nga Bashkimi Europian 18 milionë euro, ku pesë prej tyre janë dhuruar për realizimin e këtij projekti.
Drejtori i Bankës për Zhvillim KfW, Roland Siller, tregoi se dhënia e kredisë për këtë projekt ka qenë një vendim i vështirë.
“KfW e ka dhënë një kredi bashkë me qeverinë gjermane dhe një kredi nënkupton besim dhe në atë kohë nuk ishte një gjë e lehtë për t’i dhënë kredinë qeverisë kosovare, andaj kishim ndihmën e institucioneve europiane, Bankës Austriake për Zhvillim”, tha Siller.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u shpreh i kënaqur duke thënë se “një lajm i tillë si ky sot është definitivisht pozitiv për qytetarët e këtyre tetë komunave. Natyrisht unë në emër të Komunës së Prishtinës mund të them se është një ndër lajmet më të mira për të gjithë qytetarët e Prishtinës”.
Sipas Ahmetit, të gjitha sondazhet e kryera nga Komuna e Prishtinës kanë treguar se njëra ndër kërkesat më të mëdha për qytetarët e Prishtinës ishte zgjidhja e problemit me ujë, madje kërkesë më përqindje më të lartë sesa edhe papunësia.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se e ka gëzuar fillimi i punës së kësaj fabrike për faktin se qytetarët e qytetit industrial, siç e ka quajtur Obiliqin, do të kenë ujë të pijshëm për 24 orë në ditë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, përurimin e kësaj fabrike e cilësoi si kryevepër, pasi që sipas tij kjo është dekada e cila do të zgjidhë problemet me ujë të qytetarëve të Prishtinës dhe rajonit.
“Po e përurojmë një kryevepër tjetër në sektorin e ujërave, njëra nga më të mëdhatë edhe si investim, por edhe si ndikim në përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve, të shtëpive, ndërtesave, bizneseve aq të nevojshme në dekadën kur problemet e ujit dhe të energjisë njëherë e përgjithmonë do t’i zgjidhim”, tha Stavileci.
Redaktoi: Visar Prebreza