Foto: Atdhe Mulla

Përfundojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, numri i viktimave shkon në 50

Qeveria e Shqipërisë mbajti një mbledhje ashtu siç ka bërë këto tre ditë pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar dhe numri i viktimave ka shkuar në 50, raporton Top Channel.

“Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar, ndërsa fatkeqësisht duhet të them që numri i viktimave ka shkuar në 50″, tha Rama.

Rama falënderoi edhe trupat e kërkim-shpëtimit që kanë ardhur nga jashtë.

“Duhet të falënderoj trupat e kërkim-shpëtimit që kanë ardhur nga jashtë. Pa ata ne nuk do të kishim mundur të shpëtonim asnjë banor nga gërmadhat. Por kjo nuk zbeh punën e trupave tanë të kërkim-shpëtimit, por trupat kanë nevojë për mjete të specializuara”, vijoi kryeministri.