Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për t'u kthyer në Kuvend, LDK kërkon plotësim të këtyre kërkesave

Lidhja Demokratike e Kosovës, do të kthehet në seancat plenare, tek pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, nga e cila kërkon të marrë ‘garancion’ se legjislativi do të respektoj Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe se do t’u lejohet hapësirë për diskutim.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e ka konfirmuar për KALLXO.com se kërkesat e deputetëve të këtij subjekti në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, do të jenë respektimi i rregullores së Kuvendit dhe lejimi i hapësirës për fjalime.

Gashi i pyetur se deri kur do të vazhdoj mos pjesëmarrja e tyre në seancë tha se “deri në mbledhjen e radhës së Kryesisë”.

Nëse kërkesat e opozitës nuk respektohen, Gashi tha se do të shohin të ardhmen se si do të veprojnë.

“Do të shohim në të ardhmen. Do të shohim si do të sillen, besoj se do të përmirësohen”, tha Gashi.

Gjithashtu ai ka potencuar se nuk do t’i bashkojnë kërkesat me Partinë Demokratike të Kosovës duke përmendur se secili subjekt ka kërkesat e veta.

“Gjithkush i ka kërkesat e veta, na nuk jemi bashkë me një parti”, shtoi Gashi.

Në seancën e mbajtur më 6 maj të këtij viti, Lidhja Demokratike e ka lëshuar sallën e Kuvendit në shenjë proteste, pasi sipas tyre nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci e ka thyer Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Bogujevci dhe Gashi ishin përfshirë në diskutime.

Para se t’ia jepte fjalën në Kuvend Gashit, Bogujevci e porositi që të flas vetëm në çështjet e ngritura nga ministrat.

“Z. Gashi fjalën po ta jap vetëm nëse i referoheni çështjeve të ngritura nga ministrat. Përndryshe në relacion me atë që këshillova më herët, të ndërpritet fjala. Ta dish paraprakisht”, tha ajo.

Kurse, deputeti Gashi tha se modeli i kërcënimit të deputetëve, nuk funksionon.

“Ky model i kërcënimit të deputetët nuk funksionon, aq më pak me mu. E nderuar kryesuese ta keni parasysh që ky Kuvend është i deputetëve dhe ftohet edhe qeveria me fol. Ju po i leni ministrat me fol 10 minuta, e deputetët 2 minuta, është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit”, tha ai.

“Doni t’i referoheni diskutimeve apo e ndërpremë muhabetin këtu”, tha ajo.

Më pas Gashi ia ktheu duke thënë se “dua t’i referohem të drejtës sime për të ngritur mocion procedural”.

Kjo bëri që nënkryetarja t’ia ndalë fjalën deputetit.

“Jam shumë e vetëdijshme për të drejtat e tua dhe të secilit. Ju lutem regjia ndërpritjani fjalën”, tha ajo.

Pas kësaj, deputetet e LDK-së e kishin lëshuar sallën.

https://kallxo.com/lajm/video-momenti-i-perplasjes-gashi-bogujevci/